×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfimi i 24-vjeçarit nga Podujeva që deshën ta vrisnin me tre plumba

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 18:09

    Vetura e Adnan Poterës mbrëmë u godit me tre plumba, gjatë kohës sa ky i fundit ishte duke vozitur.


    Ngjarja ndodhi në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës, rreth orës 22:30, e 24-vjeçari nga ky tentim -atentat arriti të shpëtonte me pak lëndime.

    Menjëherë pas rastit dolën në vend të ngjarjes Policia e Kosovës, këta të fundit morën edhe automjetin për ekzaminim, ndërkaq momentalisht nuk kanë asnjë të dyshuar e po punojnë për të zbardhur ngjarjen.

    Adnan Potera e familja e tij kanë dhënë rrëfimin për këtë rast. Ata thonë se djali kishte pasur probleme më herët e mbrëmë dikush kishte tentuar që ta vriste.

    Rrëfimi i 24-vjeçarit që deshën ta vrisnin me tre plumba

    Adnan Potera sot gjatë ditës dha deklaratën e tij në polici. Vetëm një natë më parë, derisa po kthehej nga Podujeva, vetura e tij u qëllua me tre plumba gjatë kohës sa ishte në lëvizje, nga persona që ishin në një veturë tjetër. Këta të fundit 24-vjeçari nuk arriti që t’i identifikonte.

    Mirëpo, ajo se çka ndodhi mbrëmë, që sipas tij kishte qëllimin që ta linte të vdekur e ka tronditur këtë të fundit.

    Duke folur për Gazetën Express, Adnan Potera tregon prapavijën e asaj se çka ndodhi një natë më parë, e se si sipas tij kishte arritur të i shpëtonte plumbave.

    “Mbrëmë rreth orës 22:30 jam kanë me veturë tu shku për Podujevë kam pas muzikë duke dëgjuar duke shku rrugës e kam dëgjuar një plumb që ka kërsit në dritare, mbrapa e kam çel derën jam ul poshtë prej aty ja kanë nis me qit edhe tre a katër në karrigë temën”, thotë ai.

    Potera po thotë se qëllimi i kushdo që mund të ketë gjuajtur në drejtim të tij, kishte qëllim që ta vriste.

    “E ka pas qëllimin veç me më vra edhe për çka nuk e di plumbi mbrapa ka kërsit mos me pas çel derën unë sot isha i vramë, shumë shpejt ka ndodh gjithçka”, rrëfen ai tutje.

    Adnan Potera po pranon gjithashtu se ka pasur probleme më parë me ligjin, por se shton se momentalisht nuk ka të tilla. Ai nuk i lidh rastet e mëparshme me atë që i ndodhi mbrëmë. Goditjen me plumba drejt veturës së tij e quan atentat që mund të jetë bërë nga ndonjë person i panjohur.

    24-vjeçari është i martuar e ka edhe një fëmijë, teksa shprehet i shqetësuar se mos një gjë e tillë mund të i përsëritet e të rrezikojë edhe anëtarë tjerë të familjes së tij.

    Çfarë thonë familja e fqinjët

    Familja e Adnan Poterës mbrëmë nuk patën gjumë në sy. Kështu thonë ata, teksa flasin për ngjarjen që mbrëmë i ndodhi djalit të tyre.

    Ata shpjegojnë se si djali ju kishte shkuar pas mesnatës në shtëpi e ju kishte rrëfyer për ngjarjen.

    Ata tregojnë se djali pak orë para se kishte ndodhur rasti kishte qenë për vizitë te ta në Podujevë, e pas kësaj kishte shkuar në Prishtinë. Goditja me plumba ndodhi kur 24-vjecari po shkonte përsëri për në Podujevë.

    Familja e tij po shprehën të shqetësuar se mos ndonjë gjë e keqe mund t’i ndodhë atij, teksa, shpresojnë që mos të ju përsëritet një gjë e tillë.

    Këta të fundit nuk dyshojnë në ndonjë person që mund të qëndrojë prapa kësaj vepre.

    Edhe fqinjët e familjes janë shprehur të shqetësuar nga ajo se çka ndodhi mbrëmë. Thonë se kanë dëgjuar për rastin por se nuk dine shumë për prapavijën e asaj se çka ndodhi.

    24-vjeçari kishte pasur disa herë probleme me ligjin, e është emër i njohur për organet e rendit. Ai është djali i vetëm i familjes, teksa ka dy motra, është i martuar dhe ka një fëmijë.

     Versioni i Prokurorisë e Policisë

    Rastin e mbrëmshëm e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Ata po thonë se momentalisht nuk ka ndonjë person të dyshuar.

    “Rreth orës 22:30 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në fshatin Sibovc të Podujevës. Sipas informatave fillestare dyshohet se me armë zjarri është shtënë në drejtim të një automjeti Golf VII, i cili po qarkullonte në drejtim të Podujevës. Automjeti është konfiskuar nga ana e policisë për ekzaminim, ndërkohë që hetuesit policor në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë përkatëse janë duke punuar në ndriçimin e kësaj ngjarje”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në Prishtinë.

    Ndërkaq, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kryeprokurori Imer Beka ka thënë se është lajmëruar rasti por se në këtë fazë të hetimeve nuk ka ende ndonjë person të dyshuar.

    “Prokurori kujdestar e ka lajmëruar rastin që është gjuajtur një veturë me armë zjarri me tre plumba e kanë gjuajtur veturën gjatë kohës sa ishte në lëvizje, nuk dihet se pse ose si sepse është herët nuk janë kryer disa hetime”, tha kryeprokurori Beka.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!