×
  • Lajme
  • Lajme

    Sa para i kishte grabitur nga viktima vrasësi i të riut në kazinon në Lipjan pasi e qëlloi për vdekje

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 10:49

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që kreu vrasjen në  një kazino në Lipjan. Prokuroria Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se i akuzuari për vrasje pasi e kishte lënë pa shenja jete viktimën, kishte marrë nga ai shumën prej 2 mijë e 700 euro, shkruan Reporteri.net.


    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka, njofton opinionin se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., me dyshimin se ka kryer veprat penale “Grabitja” nga neni 329 par.5 lidhur me par.1 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 par.2 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.

    Ekziston dyshimi i bazuar, se më 20.03.2019, rreth orës 18:26 minuta, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinon “Matrix”, i pandehuri A.P., me përdorimin e forcës, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti me armë zjarri (pistoletë), ka gjuajtur dy herë në drejtim të viktimës, me ç’ rast viktima nga plagët e marra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse i pandehuri nga viktima ka marrë shumën e parave në vlerë prej 2700€ dhe është larguar në drejtim të panjohur.

    Pas angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit, kanë arritur të bëjnë identifikimin, zbulimin e vendndodhjes dhe arrestimin e të dyshuarit, më 03.04.2019.

    Po ashtu sot, më 05.04.2019, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca dëgjimore, për shqyrtimin e masës për caktimin e paraburgimit, të propozuar nga prokurori i çështjes, bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    Kujtojmë se në lidhje dy vrasjet që ndodhen nëpër kazino në Kosovë, institucionet kanë vendosur për mbylljen e lojërave të fatit. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!