Përfaqësuesit e serbëve nga Kosova kanë paraqitur sot kallëzim penal kundër bartësve të pushtetit të mëparshëm në Serbi – Aleksandar Vuçiqit, Ana Bërnabiqit, Petar Petkoviqit dhe Goran Rakiqit, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe shkeljes së Kushtetutës së Serbisë.

Në kallëzimin penal thuhet se duhet të hetohen një sërë çështjesh, ndër të cilat Marrëveshja e Brukselit, dokumenti franko-gjerman, marrëveshja e Washingtonit dhe vrasja e Oliver Ivanoviqit, shkruan portali serb, Nash.

Parashtruesit e kallëzimit penal janë kryetari i Forumit Kombëtar Serb – Graçanicë, Momçillo Trajkoviq, kryetari dhe anëtari i Lëvizjes Popullore të Serbëve “Atdheu”, Sllavisha Ristiq dhe Marko Jakshiq, kryetari i Këshillit Kombëtar Serb, Ljubisha Dabiq, si dhe gjenerali në pension, Momir Stojanoviq.

Reklamë

Në kallëzimin penal, thuhet se ekziston dyshimi që bartësit e pushtetit të mëparshëm, për një kohë të gjatë, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të dialogut politik për Kosovën.

“Objekt i kallëzimit është dyshimi se, gjatë negociatave, të dyshuarit kanë vepruar jashtë kufijve të kompetencave, pa vendimmarrje institucionale ose duke anashkaluar procedurat e përcaktuara. Me këtë mënyrë të veprimit janë shkaktuar pasoja për të drejtat e qytetarëve dhe interesin publik të Serbisë”, tha Trajkoviq.

Në kallëzimin penal prej 25 faqesh kërkohet që Prokuroria e Lartë Publike në Serbi të sigurojë dokumentacionin burimor, të marrë në pyetje personat përkatës dhe të përcaktojë se kush, kur, në çfarë cilësie, me çfarë qëllimesh dhe në çfarë cilësie ka ndërmarrë veprime të caktuara.

Trajkoviq tha se objekt i kallëzimit është edhe Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe se duhet të përcaktohet se çfarë dëmesh janë shkaktuar nga zbatimi i saj.

“Duhet të hetohet roli i Listës Serbe dhe presionet e mundshme ndaj popullatës serbe, zgjedhjet lokale dhe parlamentare dhe pozita e përfaqësuesve, integrimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, telekomunikacioni dhe marrëveshjet energjetike për Ujmanin, targat dhe deklaratat publike, dokumenti i Uashingtonit i vitit 2020, marrëveshja franko-gjermane dhe aneksi i vitit 2023, vrasja e Oliver Ivanoviqit, si dhe ngjarjet në Banjskë”, tha Trajkoviq.

Reklamë

Ristiq, si një nga shembujt, tha se Serbia ia ka dorëzuar kadastrin autoriteteve të Kosovës, si pasojë e së cilës serbët nga Kosova nuk mund të marrin në Serbi informacione për parcelat e tyre.

“Nëse ju, si pronar i tokës në Kosovë, nuk mund të merrni në Beograd një dëshmi se jeni pronar i tokës, çfarë është kjo nëse jo heqje dorë?”, pyeti Ristiq.

Ai tha se popullata serbe në Kosovë është përgjysmuar në krahasim me vitin 2012.

Jakshiq tha se në vitin 2012 është vendosur kufiri ndërmjet Kosovës dhe pjesës tjetër të Serbisë.

Reklamë

“Ka një numër të madh gjërash që i ka bërë shteti. Për shembull, në vitin 2016, Vuçiqi u zotua përmes një marrëveshjeje me Isa Mustafën se Beogradi nuk do t’i ndiqte penalisht shqiptarët nga Kosova. Nëse ndonjë shqiptar ka kryer krime të rënda gjatë kohës së luftës, Beogradi nuk do ta ndjekë penalisht. Kjo është kundër Kushtetutës së Serbisë”, tha Jakshiq.

Si shembull, ai përmendi edhe njohjen e Kosovës në të gjitha manifestimet sportive gjatë kohës së pushtetit të mëparshëm.

Ai tha se pushteti i mëparshëm i Vuçiqit hoqi dorë nga sektori i energjisë dhe ia dorëzoi atë Prishtinës.

“Në planin franko-gjerman, të cilin Vuçiqi e pranoi, thuhet se Serbia e pranon pavarësinë, tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës”, tha Jakshiq.

Reklamë