Dy drejtues të opozitës në Izrael kanë akuzuar kryeministrin, Benjamin Netanyahu, për një përpjekje për grusht shteti, pas raportimeve se zyra e tij tentoi të përfshinte në një skandal anëtarë të një partie arabo-izraelite, përpara zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Sipas raportimeve të mediave vendase, një ditë përpara zgjedhjeve të 27 tetorit, shefi i kabinetit të Netanyahut, Ido Norden, i është drejtuar policisë me një ankesë kundër anëtarëve të partisë Raam. Ai dyshohet se ka paraqitur informacione nga një burim i pretenduar i inteligjencës, të cilat çuan në arrestimin e tre anëtarëve të partisë. Ata u liruan më vonë, pasi policia konstatoi se informacionet ishin të pabazuara.

Ndërkohë, media të tjera raportuan se kreu i shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet, David Zini, kishte kërkuar përgjimin e drejtuesve të një tjetër partie arabe, Lista e Përbashkët, por kërkesa ishte refuzuar nga prokurori i përgjithshëm për mungesë provash.

Reklamë

Liderët e opozitës kanë kërkuar hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë, përfshirë vetë Netanyahun. Ky i fundit dhe partia e tij Likud kanë mohuar akuzat e fundit.

Pas zgjedhjeve, as blloku i Netanyahut dhe as opozita e drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot nuk siguruan 61 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë. Dy partitë arabe kanë shprehur mbështetjen për Eisenkotin, të cilit presidenti Isaac Herzog i ka besuar detyrën për krijimin e qeverisë së re.