Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka takuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.

Gjatë takimit, Shiroka-Pula theksoi lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Shqipërisë, të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe përkatësi të përbashkët.

Ajo tha se dy shtetet janë të bashkuara nga e njëjta frymë dhe se nuk ka asgjë që i ndan, duke i cilësuar si “një zemër, një mendje dhe një komb”.

Reklamë

Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, ndërsa theksoi se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët, e cila duhet të udhëhiqet nga afërsia dhe vullneti për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

Në takim u diskutua edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve. Shiroka-Pula theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë, si dhe shkëmbimit të përvojave.

Shiroka-Pula vlerësoi se marrëdhëniet e veçanta mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ajo theksoi se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë po zbatohen.

Reklamë