Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 20 zyrtarë të kësaj ministrie nga komuniteti serb, të cilët, sipas saj, njihen edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”, e cila është shpallur nga Kosova si organizatë terroriste.

Pacolli bëri të ditur se vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-‘Mbrojtjes Civile’. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka shkruar Pacolli.

Reklamë

Ajo shtoi se, sipas evidencave zyrtare, këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk i kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.

“Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës”, ka deklaruar ajo.

Pacolli theksoi se institucionet do të zbatojnë standarde të njëjta për të gjithë në administratën publike.

“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka përfunduar Pacolli.

Reklamë

Në vitin 2023 Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat vepronin në veri të Kosovës .