SPAK ka plasur një hetim bombë që ngre dyshime të forta për projektin e miqve të Jared Kushner në Zvërnec dhe për disa nga kullat më të larta të Tiranës. Dyshimet janë se financimi i këtyre projekteve gjigande e ka gjenezën tek paratë e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine. Emrat e goditur janë të famshëm për pasuritë e mëdha, për lidhjet me politikën dhe për influencën në botën e krimit, shkruan Lapsi.al.

Siç raportohet, urdhër-arresti është firmosur për Artur Shehun, emër i njohur në Vlorë jo vetëm për bëmat e 1997, por edhe për pasuritë e mëdha që arriti të grumbullojë në Zvërnec, duke u lidhur më pas me investitorët e huaj, miq të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.

Një tjetër urdhër-arresti është firmosur për Ilir Shtufin, biznesmen i ndërtimit, me lidhje të forta politike, por edhe i njohur së fundmi për projektin e Malit të Tiranës, kullës në qendër të kryeqytetit.

Reklamë

Sipas raportimit, materialet që kanë ardhur nga agjencitë e huaja në SPAK, i kanë orientuar prokurorët drejt bllokimit të qindra miliona eurove, përfshirë paratë që vëllezërit sirianë AlKhajat derdhën në llogaritë e kompanive që kishin pronësinë e tokave në Zvërnec, po ashtu janë sekuestruar biznese dhe shuma të mëdha parash në biznesmenët e Tiranës që dyshohet se janë të lidhur me trafikantët e drogës.

Ajo që bie në sy është se për herë të parë bëhen bashkë në një dosje hetimore çështja e tokave të Zvërnecit me disa nga ndërtuesit më të mëdhenj të Tiranës dhe paratë që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Në qendër të kësaj historie ndodhet Artur Shehu, ndaj të cilit SPAK ka firmosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Shehu ndodhet prej më shumë se dy dekadash në Shtetet e Bashkuara, ku jeton pasi u largua nga Shqipëria në fund të viteve ’90 dhe përfitoi azil politik. Emri i tij është shfaqur vazhdimisht në investigime vendase dhe ndërkombëtare për çështjet e pronave në zonën e Vlorës, Nartës dhe Zvërnecit, ndërsa së fundmi ai u shfaq në Opinion me pretendimin se tokat i kishte trashëguar nga të parët e tij.

Kjo është hera e parë që Shehu përfshihet në një hetim të SPAK që nuk lidhet drejtpërdrejt me pronësinë e tokave, por me dyshime për pastrim parash në kuadër të një organizate kriminale që sipas prokurorisë merrej me trafik droge. Rëndësia e emrit të tij lidhet me faktin se ai konsiderohet njeriu që kontrollon sipërfaqet më të mëdha të tokës në zonën ku është projektuar resorti luksoz i promovuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Në të njëjtën dosje, SPAK ka vendosur sekuestro mbi rreth 138 milionë euro të depozituara në llogaritë e noteres Amela Muka, para që lidhen me transaksionet e kompanisë Albanian Land Development, një nga subjektet që ka luajtur rol në blerjen dhe konsolidimin e pronave për projektin e Zvërnecit. Këto janë paratë e përfituara nga investitorët sirianë, vëllezërit AlKhajat të afruar në Shqipëri nëpërmjet miqësisë me Jared Kushner. Për herë të parë, hetimi penal prek jo vetëm debatet mbi origjinën e pronave, por edhe qarkullimin e fondeve që qëndrojnë pas projektit. Për paratë e tyre, më herët kishte dalë garant kryeministri Edi Rama, që i bëri thirrje SPAK se mund të vazhdonte me hetimet për shitësit e tokave, por paratë e investitorëve ishin të pastra.

Reklamë

Por dosja nuk ndalet në bregdet.

Një tjetër emër për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti është Ilir Shtufi, një nga biznesmenët më të njohur të sektorit të ndërtimit. Shtufi lidhet me grupin e kompanive që kanë përfituar ndër numrat më të lartë të lejeve të ndërtimit për kulla dhe komplekse rezidenciale në Tiranë. Nova Construction Group, Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte rezultojnë të kenë marrë leje për qindra mijëra metra katrorë ndërtim, ndërsa emri i tij lidhet edhe me projektin e kullës “Mali i Tiranës”, një nga godinat më ambicioze të planifikuara në kryeqytet.

Në pamje të parë duket e vështirë të gjesh një lidhje mes një personi që kontrollon toka në Zvërnec dhe një ndërtuesi kullash në Tiranë. Siç raporton Lapsi.al, dyshimet janë se lidhja mes tyre është ajo e trafikantëve të drogës.

Pjesë e dosjes janë vëllezërit Artur dhe Luçiano Koçeku, të dyshuar si drejtues të një rrjeti të trafikut të drogës. Hetuesit dyshojnë se fitimet e krijuara nga aktiviteti kriminal, përfshirë trafikimin e kokainës nga Amerika Latine, janë futur më pas në ekonominë formale përmes investimeve në prona, ndërtim dhe zhvillim. Pikërisht ky dyshim duket se bashkon në të njëjtën dosje emra që deri dje dukeshin të shkëputur nga njëri-tjetri.

Reklamë

Në këtë kuadër duhet parë edhe përfshirja e Orest Sotës, i arrestuar në operacion, si dhe e disa biznesmenëve të tjerë që sipas SPAK dyshohet se kanë luajtur role të ndryshme në qarkullimin dhe investimin e parave të organizatës kriminale.

Megjithatë, prokuroria deri tani është treguar e rezervuar. Materialet e plota hetimore nuk janë bërë ende publike dhe lidhjet mes personave, kompanive dhe transaksioneve mbeten në nivel dyshimi penal.

Emrat e raportuar deri tani për të cilët janë firmosur masa sigurie:

EMRAT:

Reklamë

Artur Shehu

Ilir Shtufi

Ardian Zykaj

Alfredo Hamzai

Reklamë

Adrian Rama

Erjon Rama

Orgest Bircaj

Orest Sota

Elton Memeti

Leonard Bishaj

Arben Ismaili

Edmond Jaupi

Besnik Myftari

Dritan Aga

Luciano Koceku alias Artur Koceku

Dino alias Abedin Koceku

Ervin Koceku

Astrit Vladi

Kastriot Vladi

Gezim Islami./Lapsi.al