Qytetarët tu shumtë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbej”  në Tiranë, në ditën e katërt të protestës për çështjen e Zvërnecit, një tubim që këtë herë është pagëzuar nga pjesëmarrësit si “Revolucioni i Flamingove”.

Pjesëmarrësit mbanin në duar flamuj dhe pankarta kartoni me figura flamingosh, duke krijuar simbolikën e re të protestës, ndërsa pritet që marshimi të vijojë drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë.

Gjatë zhvillimit të protestës janë raportuar përplasje mes qytetarëve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Protestuesit kanë çarë kordonin policor të vendosur në zonën pranë Piramidës dhe janë drejtuar drejt Kryeministrisë.

Reklamë

Policia ka ndërhyrë për të menaxhuar situatën, duke përdorur edhe autobote me ujë për shpërndarjen e turmës, pasi tensionet janë përshkallëzuar në disa momente.

Në një deklarim për mediat, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, sqaroi se masat e sigurisë dhe gardhi metalik në bulevard janë vendosur paraprakisht për arsye organizative. “Është standard i vendosur prej kohësh, nuk bëjmë ndryshime për këtë aktivitet”, tha ai.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat, duke publikuar foto nga projekte investimesh të investitorëve nga Katari, të cilët sipas tij pritet të realizojnë projekte të ngjashme edhe në zonën e Zvërnecit. Në një reagim në rrjete sociale, ai shkroi: “Nuk sheh syri, sheh mendja”, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit dhe investimeve të huaja.

Protesta për Zvërnecin vijon për ditën e katërt me pjesëmarrje të qytetarëve dhe tensione të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë.