Një video që pretendohet se shfaq një qeli luksoze brenda Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin është bërë virale në Shqipëri gjatë së premtes.

Pamjet janë publikuar nga gazetari Artan Hoxha, i cili ambientin e ka përshkruar si një “hotel me shtatë yje”.

Në video shihen kushte që tejkalojnë standardet e zakonshme të një qelie burgu, përfshirë televizor, mini-kuzhinë, shtrat komod, dollap dhe pajisje të tjera.

Reklamë

Sipas Hoxhës, investimet në këtë ambient janë bërë nga persona të lidhur me botën e krimit, ndonëse ai ka theksuar se një situatë e tillë mbetet e pazakontë.

Gazetari ka deklaruar se videon e ka siguruar nga një i burgosur, ndërsa ka pretenduar se qelia i përket një ish-ortaku të Ervis Martinajt, i njohur si “bosi i lojërave të fatit”, i cili prej vitesh figuron zyrtarisht si person i zhdukur.