Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja në Shkodër, ku Aleksandër Koçeku, u gjet i vdekur brenda makinës dhe sipas Policisë, dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri.
Abcnews raporton se viktima ka qenë nën hetim për vrasjen e të riut Pavlin Preka me 27 shkurt 2025.
Pas vrasjes së 20- vjeçarit në derën e shtëpisë së tij në Guci të Re, policia e Shkodrës njoftoi arrestimin e Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa vendosi nën hetim Aleksandër Koçeku.
Nuk dihet nëse kjo ngjarja ka lidhje me rastin e shkurtit të 2025, por Policia dhe grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Kushëriri i Aleksandër Koçekut, deklaroi se shteti është në dijeni të konfliktit që kishte viktima.
“Konfliktin tonë e di shteti dhe e di kushdo. Ai është ruajtur, por duhet të hajë njeriu. Konfliktin e dinë të gjithë, kemi njërin në burg për atë konflikt. Nuk di për tjetër gjë”, tha Mark Koçeku, shkruan A2.
“Kohët e fundit ka punuar në një furrë buke, ka dalë nga shtëpia”, shtoi kushëriri i viktimës.
Pistë e hetimit është edhe gjakmarrja.
Para 8 vitesh, Angjelin Shkambi u vra me armë zjarri në Shkodër, ndërsa autori i kësaj ngjarjeje, Artan Koçeku është në burg si dhe është vëllai i Aleksandër Koçekut që u vra sot.
Aleksandër Koçeku, rreth 42 vjeç, u qëllua me breshëri plumbash në fshatin Lin, në aksin Kir-Prekal të Dukagjinit.
Në 2017, Artan Koçeku vrau Angjelin Shkambin në Shkodër, tek varrezat, për një borxh 30 mijë euro.