Shqiptarët në Gjermani pritet të kenë provimin për patentë-shofer në gjuhën shqipe

Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, Artur Kuko dhe Beqë Cufaj, janë pritur në një takim nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit të Gjermanisë, Guido Beermann.


“Ata kanë dorëzuar kërkesën zyrtare në të cilën kërkohet që gjuha shqipe të përfshihet në listën e gjuhëve për testimin për provimin e patentës në Gjermani”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, transmeton Reporteri.net.

Më tej thuhet se sekretari i Shtetit Beerman e mirëpriti iniciativën dhe siguroi që ajo do të shqyrtohet nga Ministria e Komunikacionit dhe Digjitalizimit e Gjermanisë.

“Ky propozim bëhet për të arritur në një zgjidhje të përkohshme derisa të mbarojë procesi i njohjes reciproke të patentave për të cilën. Sekretari i Shtetit Beerman i ka siguruar dy Ambasadorët që referatet përkatëse janë duke punuar në drejtim të procesit të njohjes së patentave me shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.