Sindikata e Punëtorëve: Nëse falimenton Telekomi, falimenton edhe shteti

Në Komisionin Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, kryetari i Sindikatës së Punëtroëve të Telekomit, Lami Balaj tha se gjendja shkatërruese dhe degradimi i ndërmarrjes së Telekomit ka filluar që nga viti 2008.


Balaj thotë se një goditje e madhe për Telekomin ishte lidhja e kontratës me kompaninë Z  Mobile e cila sipas Balajt nuk i ka sjellë asnjë përfitim Telekomit.

“Telekomi i Kosovës ka filluar të menaxhohet nga menaxhmenti vendor në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës dhe dëmi ka filluar në atë kohë. Telekomin e kanë menaxhuar njerëz që kanë pasur paga enorme në Telekom”.

“Nga viti 2008 e këndej është gjendja më e rëndë në telekom shkatërrimi i saj ka filluar kur me kërkesë të Telekomit ka filluar të bëhet një kontratë me Z Mobile e cila në treg operon me përfitime marramendëse ndërsa nuk ka bërë asnjë investim në Telekomin e Kosovës. Sot operojnë 30 për qind të tregut dhe Z Mobile përfitimet i ka të barabarta me Telekomin”.

Balaj shprehet se nëse vendoset qe vazhdohet kontrata e Telekomit me Zmobile, punëtorët e sindikatës së Telekomit nuk do ta bëjnë implementimin e saj.

“Kjo kontratë duhet me u shkëputë, Z mobile i kalon lienca këtë vit, kur është bë kjo kontratë është gatu që me ardhur deri te gjyqi ndërkombëtarë që me u humb 32 milion euro dhe kjo kompani të kërkojë të jetë partner i joni për neve si punëtorë është e pa pranueshme”.

“Ne synojmë përmbylljen me Z Mobile dhe kemi bërë edhe një peticion ku kemi bërë të qartë që nëse vendoset me u vazhdu kjo kontratë ne si punëtorë nuk do e bëjmë implementimin e saj. Ne e kemi alarmuar opinionin publik që të vjen të heton dhe neve nuk na ka mbet tjetër që t’i ruajmë vendet e punës vet dhe ti ndalim të këqijat qe i kanë ndodhë Telekomit të Kosovës”.

Balaj tutje shprehet se një tjetër goditje për Telekomin është afera Sim to Sim e cila sipas Balajt, Telekomit i ka shkaktuar 21 milionë euro humbje.

“Goditja e madhe për neve është ajo që po thuhet në publik se Telekomi po falimenton dhe nëse falimenton Telekomi i Kosovës falimenton edhe vetë shteti jonë. Nuk iu ka hije ata që janë udhëheqës me thënë që Telekomi po falimenton”.

“Neve vetë institucionet na kanë blloku. Na ka dëmtuar mjaft shumë edhe prokurimi publik.  Një prej faktorëve që na ka shkaktuar shumë humbje është afera Sim to Sim e cila na ka shkaktuar humbje 21 milion euro”.