Takimi që zgjati rreth 1 orë e gjysmë mes Presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive, ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Sipas deklaratave të këtyre të fundit, nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Presidentja Vjosa Osmani e kreu i VV’së, Albin Kurti, ende s’janë deklaruar rreth takimit, shkruan Reporteri.net.
As takimi i thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për ngërçin institicional. Sipas deklaratave të krerëve të partive pas takimit, situata vazhdon të mbetet e njëjtë.
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se nuk ka ndonjë të re, teksa u shpreh pesimist se kreu i VV’së do të ndërrojë qëndrim. Sipas tij, Kurti po e mban peng shtetin.
“Fatkeqësisht jemi në situatën e njëjtë por duhet ta shohim këtë situatë si një hap para. Kjo qasje autoritare e VV-së vazhdon pa e pasë shumicën ne e kemi obligim të bëjmë çmos për të gjetë një zgjidhje. S’ka risi, nuk jam aspak optimist që Kurti do të ndërrojë qëndrim. Ai nuk ka vota për komision, as kryetare, e as për kryeminitër. Duke mos i pasë votat, po e mban peng krejt shtetin. Siç po shihet nuk ka tym të bardhë”, deklaroi Krasniqi.
Për kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, Kurti në këtë takim ka treguar se s’ka interesim për zhbllokim të situatës.
“Partitë qëndruan në pozicionet paraprake që nënkupton se nuk ka iniciativë që do ta zhbllokojë gjendjen e tanishme. Siç e pashë në takim, nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më pare”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se para Presidentes dhe krerëve të partive ka prezantuar propozimin e tij për qeveri të tranizionit. Sipas tij, Osmani duhet që ta shqyrtojë sa më parë dërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese.
“Në takim e kam elaboruar idenë e një qeverie të unitetit. Insistimi pa shumicë parlamentare, sjell ngërç politik. Nuk jemi të interesuar që në situatën e tanishme të vazhdojmë cirkun e 48 orëve. Është mirë që presidentja të shqyrtojë që sa më parë të shqyrtojë dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ne kishim një plan përpara, dy partitë e tjera kishin mirëkuptim, por jo edhe e para”, tha Abdixhiku para mediave”, tha Abdixhiku.
Deklaratë para gazetarëve dha edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai tha se kandidati për kryetar kuvendi duhet “një person unifikues në mënyrë që të kalojmë në etapën tjetër edhe kuptohet e kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten”.
“Kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues”, ka thënë ai.
Nga Presidentja Vjosa Osmani e kreu i VV’së, Albin Kurti, ende s’ka ndonjë deklaratë.
Takimi i thirrur për në ora 13:00, por që nisi rreth 20 minuta me vonesë, zgjati deri në 14:50./Reporteri.net