Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se nga e hëna do të nisë procesi i amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ka paralajmëruar se brenda dy javësh do t’i dorëzojë Kuvendit ndryshimet e propozuara.
Në një intervistë për KosovaPress, Çitaku tha se synimi i PDK-së është që të ruhet thelbi i ligjit, por që ai të plotësohet me argumente më të fuqishme juridike, në mënyrë që të jetë më i qëndrueshëm përballë sfidave të mundshme.
Ajo theksoi se PDK-ja është e gatshme të konsultohet me Bashkimin Evropian, aleatët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për çështje krenarie apo egoje partiake.
“Është zotim i yni publik që brenda dy javësh nga e hëna Kuvendit do t’ia sjellim ligjin me ndryshimet e propozuara. Jemi të hapur për diskutime, konsultime. E di se ka shumë palë të shqetësuara, qoftë Bashkimi Evropian, aleatët tjerë, shoqëria civile. Dyert tona do të jenë të hapura”, tha Çitaku.
Ajo u shpreh e bindur se projektligji do të marrë mbështetjen e nevojshme në seancën plenare të së premtes, duke iu referuar edhe votimit të mocionit për përfshirjen e tij në rendin e ditës, i cili u mbështet nga 79 deputetë.
“Unë besoj, ngjashëm siç u votua mocioni për rend dite, do të votohet edhe ligji në seancë plenare”, deklaroi ajo.
Çitaku foli edhe për mospajtimet me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se ato kanë qenë vetëm rreth procedurës për ndryshimin e ligjit dhe jo për qëllimin e tij.
Sipas saj, PDK-ja kishte vlerësuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit mundësonte ndryshimin e ligjit, ndërsa palët kishin interpretime të ndryshme për këtë çështje. Për këtë arsye, ajo tha se janë pajtuar që fillimisht ligji të miratohet në formën e votuar në dy leximet, ndërsa ndryshimet të procedohen më pas.
“Mospajtimi i vetëm që kemi pasur me Lëvizjen Vetëvendosje është në procedurë. Ata kanë vlerësuar që nuk mund të bëhen ndryshime, por procedura fare pak ka rëndësi, ne jemi të bashkuar rreth të njëjtit qëllim, miratimit të ligjit”, tha Çitaku.
Ajo kujtoi se ligji ishte miratuar më 6 tetor, në dy lexime, në rrethana që i cilësoi si të jashtëzakonshme. Sipas saj, pas miratimit janë pranuar propozime që mund ta bëjnë atë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht.
“Është ligj mjaft serioz, i cili do të sfidohet në shumë nivele dhe është shumë e rëndësishme që ai ligj të jetë sa më i fortifikuar me argumente juridike”, u shpreh ajo.
Kuvendi i Kosovës votoi me 79 vota për përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo pikë u vendos në fund të rendit të ditës, pas kërkesës së Çitakut.
Projektligji ishte miratuar më 6 tetor në dy leximet, por më pas ishte kthyer në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së PDK-së.
Seanca e Kuvendit është shtyrë për të premten, në orën 11:00.