Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ia ka caktuar një muaj paraburgim një shtetasi gjerman me inicialet L.B.S., i dyshuar për import, eksport, furnizim dhe shitje të paautorizuar të armëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të tyre.

Vendimi është marrë më 12 nëntor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.

Sipas njoftimit të Gjykatës, paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari të pengojë zhvillimin e procedurës penale, t’i shmanget ndjekjes dhe të bëhet i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Reklamë

Gjykata ka theksuar se fakti që i dyshuari është shtetas i Gjermanisë është një nga rrethanat që janë marrë parasysh gjatë vlerësimit të rrezikut të ikjes.

Po ashtu, në arsyetimin e vendimit përmendet edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Ekzistojnë rrethana të posaçme që ka rrezik real dhe të arsyeshëm të përsëritjes së veprës penale, duke u mbështetur veçanërisht në mënyrën e dyshuar të kryerjes së tyre, sasinë dhe llojin e armëve të sekuestruara, përgatitjen paraprake të mjetit të transportit, si dhe rrethanat konkrete në të cilat është zbuluar armatimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa e vetme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

L.B.S. dyshohet për veprën penale të importit, eksportit, furnizimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar të armëve apo materieve plasëse, si dhe për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Reklamë

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.