×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Njoftimi

    Sot takoi Hamzën, nesër pret Abdixhikun – Kurti nis konsultat për Presidentin

    Reporteri
    22 Shkurt 2026 | 19:21

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.

    Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti falënderoi kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar.

    Tutje në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës dhe pluralizmit partiak e demokratik.

    “Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftim.

    Tutje Qeveria bën tëditur se kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza njoftoi poashtu për takimin me Kurtin, ku theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

    Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore.

    Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!