×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu me Serbinë

    Stano: BE e ka bërë të qartë problemin në dialog, ‘definitivisht’ s’janë Borrell dhe Lajçak

    Reporteri
    19 Shtator 2023 | 18:19

    Bashkimi Evropian ka kundërshtuar sërish akuzat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se ndërmjetësi Mirosllav Lajçak po ndikohet nga Serbia duke ua përmbushur të gjitha kërkesat që kanë në dialog. Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se nuk janë Lajçak dhe Borrell ata që po e pengojnë mbarëvajtjen e dialogut.

    Stano ka thënë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë të përsëritur, e kanë theksuar se ku, sipas tyre, po çalon progresi në Dialog. Ai ka shtuar se Lajçak dhe Borrell përfaqësojnë këtë qëndrim të shteteve anëtare, dhe se ata ‘definitivisht’ nuk po e pengojnë procesin.

    “BE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të angazhuar në mbështetjen e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja e kanë bërë shumë të qartë në mënyrë të përsëritur se ku e shohin problemin kryesor për mungesën e progresit në Dialog, dhe definitivisht nuk është vetëm qendrim personal i HRVP Borrell ose EUSR Lajčák”.

    Zëdhënësi i BE-së ka komentuar edhe kërkesat që kanë shtetet anëtare të Unionit karshi Kosovës dhe Serbisë. Njëra prej tyre është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “27 Shtetet Anëtare të BE-së shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre. Ata u bënë thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit të Marrëveshjes bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. Shtetet Anëtare gjithashtu theksuan vazhdimisht se puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht”.

    BE: Hapat e ndërmarrë drejt shtensionimit të situatës në veri të pamjaftueshme, masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi

    Ndërkaq deklaratat e Kryeministrit Kurti, Stano i ka quajtur të pabaza.

    “Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë [Josep Borrell]. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre”, tha ai.

    Kurti tha se Lajçaku “ka deformuar” procesin e dialogut, duke pretenduar se ai nuk është përqendruar në zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes drejt normalizimit , por ka lejuar “që qerrja të vihet para kuajve” respektivisht “Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”.

    “Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një skenari të cilin z. Lajçak. Dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë. Me 14 shtator pati një pozicionim të qartë kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti. Ata kanë shkuar me goditjen e të ardhmes të Kosovë. Ose do të zbatojmë marrëveshjen në tërësi, ose nuk mund t’i zbatojmë ato që i do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk do të ec në një shteg të tillë”, ka thënë Kurti në konferencë.

    Kurti për Lajçakun: Është koordinuar me Vuçiqin, me 14 shtator u ekspozova përballë skenarit të tij kundër Kosovës

    Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimi të punuar nga Republika e Kosovës, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar.

    “Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!