×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla: Kasafortat në MPB i gjeta të zbrazëta – çelësat i lamë te sekretarja kur shkova

    Reporteri
    20 Qershor 2020 | 0:30

    Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se kur e ka marrë udhëheqjen e kësaj ministrie kasafortën me dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore e ka gjetur të zbrazët, shkruan Reporteri.net.


    Reporteri.net ka shkruar para pak ditësh se ministri aktual Agim Veliu e ka gjetur të hapur kasafortën në zyrën e ministrit në të cilën ruhen dokumente me rëndësi të veçantë.

    Sveçla ka thënë të premten mbrëma se ai e ka lënë në rregull kasafortën.  Madje ai ka akuzuar Agim Veliun se kur është shkarkuar e ka lënë të zbrazët kasafortën.

    “Çfarë mund të them është se kur ministri i MPB-së është shkarkuar ai nuk ma ka dorëzuar detyrën por,  kur kemi bërë hapjen  e kasafortave kemi parë kasaforta të zbrazura. D.m.th është e kundërta çfarë ata deklarojnë.  Janë dy kasaforta, njëra hapet me dy çelësa dhe çelësat i kemi poseduar por nuk na janë dorëzuar, i kemi gjetur aty. Dhe kur është hapur në prani të dëshmitarëve kasaforta ka qenë e zbrazët.  Kasaforta tjetër ka çelës dhe kombinim numrash, as nuk  na është dorëzuar, as nuk e kemi ditur. E kemi thirrur kompaninë e cila e ka bërë hapjen  e saj dhe prapë kemi konstatuar se edhe kasaforta tjetër është e zbrazët”, tha Sveçla.

    Ai tha se kjo është një fushatë kundër tij sepse çelësat e kasafortave ia ka lënë në zarfe të mbyllura sekretares së përgjithshme të kësaj ministrie.

    “Fushata kundër meje por  edhe kundër eksponentëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdon përkundër se tash jemi në opozitë. Edhe kjo është në kuadër të atyre shpifjeve që I dëgjonim, herë nga Hashim Thaçi, herë nga eksponentë të tjerë. Tash po del që e njëjta gjuhë si e presidentit edhe e Agim Veliut. Është e vërtetë që unë nuk i kam  dorëzuar detyrën ministrit Veliu, ashti sic ai nuk ma ka dorëzuar mua kur është shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti.  Pse ne nuk e kemi dorëzuar detyrën ka qenë  qëndrim publik i LVV-së meqenëse nuk e kemi pranuar këtë qeverisje të vjedhur. Në anën tjetër unë me përgjegjësi të plotë e them se të dy kasafortat që ndodhen në kabinetin e ministrit janë dorëzuar të mbyllura sekretares permanente në MPB  nga shefi I kabinetit tim dhe nag njëri nga këshilltarët e mi.  Celësat e këtyre dy kasafortave në zarf të mbyllur, në zarf të vulosur janë  dorëzuar sekretares për trajtim të mëtejmë”, tha ai në DPT te Fidani në T7.

    Reporteri.net të hënën raportoi se si kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry.

    Për shkak të rëndësisë së këtyre dokumenteve konfidenciale, vetëm persona të caktuar do të duhej të kenë qasje në to, e për më tepër publikimi i përmbajtjes së tyre pa u deklasifikuar është vepër e penale e dënueshme me burgim.

    Kasaforta u gjet e hapur më 4 qershor 2020, kur Agim Veliu u kthye në këtë zyrë, pas ndryshimit të Qeverisë, për të pasuar Xhelal Sveçlen, që deri atë ditë ushtroi detyrën e Ministrit të MPB-së. Përveç se u lanë të hapura këto dokumente të rëndësishme dhe konfidenciale për sigurinë e shtetit u gjeten edhe të pa sistemuara mirë. Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik.

    Se kasaforta u gjet e hapur, në ditën kur në MPB u kthye ministri Agim Veliu, pohon një raport që Ministria e Punëve të Brendshme e ka përpiluar 4 ditë më vonë, puna e të cilit nisi po atë ditë kur Veliu mori sërish detyrën e ministrit të MPB-së. Raportin e ka siguruar Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!