×
  • Lajme
  • Lajme

    Tensione për xhami mes banorëve në Llugaxhi të Lipjanit, kjo është arsyeja

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 19:37

    Xhamia njëshekullore e fshatit Llugaxhi të Lipjanit dhe xhamia e re që ka nisur të ndërtohet, i ka ndarë më dysh banorët.


    Megjithëse problemet për të njëjtën çështje në këtë fshat me rreth 1500 banorë, thuhet të jenë disa vjeçare, tensionet kanë filluar të rriten ditët e fundit, tash kur janë vënë themelet e xhamisë së re.

    Një pjesë e banorëve nuk duan xhami tjetër në fshat pos xhamisë së Llugaxhisë, prandaj kundërshtimi i tyre është rritur.

    Kundër një objekti tjetër është edhe këshilltari komunal i Lipjanit, Selatin Retkoceri.

    Ai thotë se situata mund të eskalojë derisa bën të ditur se po kërcënohet vazhdimisht, e këtë të hënë e pati kërcënimin e fundit.

    Sapo Retkoceri përfundoi deklarimin e tij për KTV-në, në oborrin e xhamisë ai u përball me kërcënimet e disa banorëve që janë për ndërtimin e xhamisë së re.

    Xhamia e re përveç lejes për lokacion, ajo nuk ka ende leje për ndërtim.

    Ata që ndërtimin e kësaj xhamie e nisën me mjete vetjake, thonë se lejen do ta marrin shpejt, sepse janë 500 nënshkrime të banorëve që janë pajtuar për ndërtimin e këtij objekti fetar.

    Banorët mohojnë se ka tensione, ani pse ishin të njëjtit që patën përplasje verbale me Selatin Retkocerin.

    Por, Arsim Reçica po e kundërshton fuqishëm këtë ndërtim, sepse është shumë afër shtëpisë së tij.

    Ai për këtë ka thirrur edhe policinë edhe inspektoratin disa herë, madje thotë se po ndihet i kërcënuar nga fqinjët e tij.

    Zëdhënësi i komunës, Diamant Bytyçi, i ka thënë televizionit se lokacioni është vendosur në pajtueshmëri me shumicën e banorëve.

    Bytyçi thotë se janë në pritje të vendimit të MAPL-së për t’u vlerësuar ligjërisht ky vendim i komunës, mirëpo shton se nëse ka prapë probleme ndërmjet banorëve, atëherë ekziston mundësia e rishqyrtimit të këtij vendimi që të mos lejojnë të bëhet shkak i ndonjë konflikti në mesin e banorëve.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!