Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet I.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, në një lokal në komunën e Deçanit. I pandehuri dyshohet se, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, ka përdorur armë zjarri me qëllim që t’i privojë nga jeta katër persona.

Si pasojë e të shtënave, tre persona kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit. Dy prej tyre kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të lehta. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.

Reklamë

Aktakuza e ngarkon të pandehurin edhe për mbajtje të armës pa autorizim ligjor. Sipas Prokurorisë, arma e përdorur në rastin e dyshuar është mbajtur në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët, ndërsa pas arrestimit, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri  të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i ngarkohen.