Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një tentativë për tjetërsimin e kundërligjshëm të 21 pronave të paluajtshme, përmes përdorimit të dokumenteve të dyshuara të falsifikuara.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Mitrovicë Veri, pas veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore.
Sipas hetimeve fillestare, personat e përfshirë dyshohet se kanë tentuar të sigurojnë një autorizim noterial për shitblerjen dhe disponimin e 21 pronave të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarit legjitim.
“Personat e përfshirë, përmes përdorimit të një dokumenti identifikues të falsifikuar dhe dokumentacionit tjetër përcjellës, kanë tentuar të sigurojnë përpilimin dhe vërtetimin e një autorizimi noterial për disponimin mbi shitblerjen me njëzetenjë prona të regjistruara në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe pa vullnetin e pronarit legjitim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas autoriteteve, dokumenti i falsifikuar përmbante të dhënat personale të pronarit të pronave, por fotografinë e një personi tjetër, i cili dyshohet se ishte përgatitur të paraqitej para noterit me identitet të rremë dhe të nënshkruante autorizimin.
Tentativa është zbuluar para përfundimit të procedurës noteriale, pasi gjatë verifikimit të dokumenteve janë evidentuar mospërputhje në të dhënat identifikuese dhe është ngritur dyshimi për autenticitetin e dokumentacionit.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar dhe intervistuar tre persona, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre për 48 orë.
Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike, një automjet dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Po ashtu, gjatë kontrollit në pronën e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dokumente të shumta pronësore, dokumente të gjendjes civile, kopje të dokumenteve të identifikimit, kontrata dhe dokumentacion tjetër në emër të personave të ndryshëm.
Prokuroria ka bërë të ditur se origjina, autenticiteti dhe qëllimi i përdorimit të këtyre dokumenteve do të jenë pjesë e hetimeve të mëtejshme.