×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi thotë se Trump është përkrahës i marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Reporteri
    16 Prill 2019 | 22:25

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur rreth qasjes së shtetit amerikan ndaj procesit të dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.


    Ndonëse e pranon se ka një përçarje midis disa anëtarëve të BE-së, e ku bëhet fjalë për pesë vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet, presidenti Thaçi tha për britaniken Independent se uniteti ndërkombëtar do të ndihmonte me të vërtetë dialogun për të arritur një marrëveshje me Serbinë, e cila do të përshpejtonte këtë proces.

    Presidenti amerikan Donald Trump, shkruan Independent, ka shfaqur interes në këtë çështje, duke i kërkuar të dyja palët që të vazhdojnë negociatat.

    “Skeptikët kanë thënë se Trump nuk do të kujdesej për Ballkanin. Në fakt ai ka qenë shumë i vëmendshëm, shumë mbështetës, por me të vërtetë po ndjek politikat e presidentëve të tjerë mbi Kosovën dhe Ballkanin, Bushin e vjetër dhe të riun, Clinton dhe Obama. Trump ka dërguar dy letra në dy muaj, si për mua dhe për presidentin Vuçiq të Serbisë, me një mesazh shumë të qartë për të arritur një marrëveshje këtë vit”, ka deklaruar Thaçi.

    Thaçi flet për takimet e tij që ka pasur deri më tash me homologun e tij serb në Bruksel.

    “Zotëri Vuçiq patjetër ka ndryshuar, kryesisht për shkak se ai ka kaluar kohë të vështira për shkak të gabimeve të tij. Regjimi që ai i përkiste dikur ishte i keq, një regjim që bëri shumë dëm jo vetëm për Kosovën, Bosnjën dhe Kroacinë, por edhe vetë Serbisë. Vuçiq është një person shumë i vështirë për të negociuar, për të bërë dialog. Por unë nuk e kam zgjedhur atë si homologun tim, ai nuk më ka zgjedhur mua si homologun e tij, është realiteti i këtyre dy shteteve sovrane”, ka pohuar Thaçi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!