×
  • Lajme
  • Lajme

    Tre prej 4 kosovarëve që amerikanët i kthyen nga Siria pranuan se kanë qenë në ISIS

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 20:34

    Agon Misini, Arijan Kryeziu dhe Visar Qukovci ishin pjesëtarë të ISIS-it. Të tre të lartpërmendurit që vikendin që lamë pas u kthyen në Kosovës, këtë gjë e kanë pranuar vetë në Gjykatë.


    T7 ka siguruar aktvendimin e Departamentit Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës, që u ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarve.

    Para gjykatës të tre të dyshuarit janë mbrojtur tërësisht në heshtje.

    I vetmi që ka thënë disa fjalë para gjyqtarit të procedurës paraprake ka qenë Agon Misini.

    Ky duke kundërshtuar kërkesën për paraburgim të Prokurorisë Speciale, ka thënë se ai vet kishte dashur të kthehet në Kosovë.

    “Dua të shtojë atë që nuk u tha nga mbrojtja, unë jam person që jam dorëzuar në organet e larta botërore me qëllim të ardhjes në Kosovë ndërsa në Siri kam qëndruar gati dy vite në burg”, ka thënë Agon Misini, që është i dyshuar për terrorizëm.

    Por, pavarësisht kësaj Prokuroria Speciale ka rreshtuar një varg arsyesh pse Agon Misini duhet të qëndrojë në paraburgim.

    “Ekziston frika e bazuar se po qe se i pandehuri Agon Misini do të mbrohet në liri mund ti qaset arratisë për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhet dhe në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë duke qenë se përballet me veprën penale të ndëshkueshme me burg në kohëzgjatje prej tre deri në pesëmbëdhjetë vite”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

    Pos kësaj, Prokurori Special Afrim Shefkiu në gjykatë ka thënë se nëse lihet i lirë, i dyshuari Agron Misini, paraqet rrezik për fshehje të provave.

    “I pandehuri do të asgjësoj, fshehë, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale, ose do të pengoj rrjedhën normale të hetimeve, e veçmas mund të ndikoj te personat e tjerë që së bashku mund të kenë qenë të përfshirë në grupin terrorist ISIS në Siri si dëshmitarët që policia është duke punuar në identifikimin e tyre që kanë njohuri për vendndodhjen e të pandehurit gjatë kësaj periudhe kohore”.

    Krejtësisht në heshtje është mbrojtur Arjan Kryeziu.

    E për të polica ka marrë një dosje nga FBI me informata shtesë.

    Edhe për Kryeziun Prokuroria dyshon se ka kryer veprën penale duke u rreshtuar krah e ISIS-it.

    “Dyshimi i bazuar se i pandehuri Arian Kryeziu ka kryer veprën penale organizmi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së rezulton nga kallëzimi penal i Policisë në Prishtinë”, ka thënë Shefkiu.

    Kështu Gjykata ka arritur në përfundim se Kryeziu duhet të mbahet në paraburgim.

    “Pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra , ku i pandehuri dyshohet se për një kohë relativisht të gjatë ka shërbyer në Siri dhe i është bashkangjitur grupeve terroriste ISIS, rrethana këto që tregojnë për karakteristikat personale të të pandehurit, duke i shtuar kësaj ambientit dhe kushtet në të cilat dyshohet se ka jetuar dhe vepruar në territorin e Sirisë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore e Prishtinës.

    Me të njëjtin dyshim për pjesëmarrje në vatrat e luftës në Siri është paraburgosur për një muaj edhe Visar Qukovci.

    Të dyshuarit nëse shpallën fajtor rrezikojnë të dënohen nga 3 deri në 15 vite burgim.

    Kujtojmë se këta janë kthyer të premten së bashku me 106 gra e fëmijë me një operacion të Kosovës me SHBA-në, ku kjo e fundit i ka sjell me avion ushtarak në aeroportin e Prishtinës siç ka raportuar gazeta online “Reporteri.net”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!