Princi i Kurorës Shqiptare, Leka II, dhe Princesha Blerta janë bërë prindër të një djali, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Aleksandër.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Princi Leka përmes një njoftimi zyrtar, ku ka bërë të ditur se Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar lindjen e Princ Aleksandrit të Shqiptarëve.
“Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë lindjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princ Aleksandër i Shqiptarëve, djalit të Lartësive të Tyre Mbretërore, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve dhe Princeshës Blerta”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, vogëlushi ka lindur më 10 korrik 2026, në orën 11:11, në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.
Princ Aleksandri ka lindur me peshë 3 kilogramë e 115 gramë, ndërsa nga Oborri Mbretëror është bërë e ditur se nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë.
“Princesha Blerta dhe Princ Aleksandri gëzojnë shëndet të plotë”, thuhet në njoftim.
Princi i Kurorës dhe Princesha Blerta kanë shprehur gjithashtu mirënjohjen e tyre për ekipin mjekësor të Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, për kujdesin dhe profesionalizmin e treguar gjatë lindjes.