×
  • Lajme
  • Lajme

    Vasfije Krasniqi: Kthimi në atë vend ishte mesazh për kriminelin – tash jam më e fortë se ai

    Reporteri
    19 Prill 2019 | 19:18

    Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se nuk e ka pritur gjithë mbështetjen që e ka marrë – pasi ajo e theu heshtjen dhe e tregoi publikisht rrëfimin e saj tronditës.


    Megjithatë ajo ka kërkuar që një përkrahje të tillë ta kenë të gjithë ato gra që e kanë një rrëfim të hidhur si ajo.

    “Unë jam befasuar me përkrahjen dhe mbështetjen që e kam marrë pasi kam dalë publikisht. Dua që edhe viktimat e tjera të dhunës seksuale ta kenë mbështetjen si unë – jo vetëm Vasfija që doli publikisht”.

    “Ka gra që e kanë mbështetjen e bashkëshortit, vëllezërve, motrave dhe familjes, por shoqëria i bën të mos ndihen rehat që ta ndajnë rrëfimin  e tyre prandaj mbështetja për to nuk është e mjaftueshme”.

    Krasniqi-Goodman ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës se si u ndje kur së fundmi e vizitoi vendin ku gjithë kjo histori rrëqethëse ka ndodhur, vendin ku ajo tha se 20 vjet më parë iu shuan ëndrrat.

    “Kthimi në atë vend ka qenë i vështirë, por ka qenë edhe forcë për mua që t’i tregojë të gjithëve se ne përsëri ia dalim”.

    “Kjo është edhe një mesazh për kriminelin që e kreu krimin që t’i tregojë atij se ai atë ditë, para 20 vjetësh, e ka pasë forcën më të madhe se unë, por tash ai nuk e ka forcën më të madhe se unë”.

    “Jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën ai do të njihet si kriminel. Unë po mundohem që të luftojë për drejtësinë time dhe 20.000 persona të tjerë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!