Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se dorëheqja e Arben Vitisë nga posti i ministrit është më e pakta që do të duhej të ndodhte, pas publikimit të denoncimeve që një paciente ia bënte mungesës së terapisë për trajtimin e kancerit për disa muaj dhe se si gjendja po i përkeqësohej.

Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit, “Renesansa”, njoftoi se pacientja humbi betejën me kancerin, pasi për katër muaj mbeti pa këtë medikament. Të enjten ministri Vitia dhe Qeveria e cilësuan raportimin keqinformim.

Pas publikimit të deklaratave të para disa muajve, të kësaj pacienteje, Zemaj ka shtruar disa pyetje për Vitinë teksa i ka kërkuar dorëheqjen.

Reklamë

“Si ndihet ministri i Shëndetësisë pasi ka dëgjuar zërin e pacientes, e cila humbi jetën në mungesë të ilaçeve? Si vazhdon ta arsyetojë e ta mbrojë këtë keqmenaxhim dhe këtë paaftësi edhe qeveria e mashtrimit? A ka më shumë rëndësi shëndeti i pacientit apo hajnia e pushtetarit? A ka më shumë rëndësi mbrojtja e interesit të qytetarit apo e interesit të mafisë farmaceutike? Turpi s’ka kufij! Dorëheqja është më e pakta që do të duhej të ndodhte”, ka shkruar Zemaj në Facebook.


Reagimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, vie pas vdekjes gjatë ditës së djeshme të pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi.

Mungesa e medikamentit Palbociclib për rreth katër muaj dyshohet se është pasuar me përkeqësim të gjendjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila nuk kishte mundësi ta blinte vetë barin që kushton deri në 1 mijë e 800 euro. Organizata Renesansa ka njoftuar se pacientes i ishin shfaqur metastaza të reja në tru dhe se ajo ka vdekur.