Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar lidhur me vendimin për rikthimin e Ligjit për dhomat e Specializuara në Kuvend, duke theksuar se në të nuk ka asnjë gabim.

Gruda përmes postimit në Facebook potencoi se nuk tërhiqet nga bindja e tij, e nuk distancohet nga puna dhe qëllimi për të cilin ky ligj u hartua.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, shkroi ai.

Reklamë

Megjithatë, ai është shprehur se nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.

“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij. Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, shkroi ai.

Reagimi i Grudës vjen pasi Presidentja Shiroka Pula ia ka kthyer Kuvendit të Kosovës ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. Krejt kjo me kërkesë të vetë PDK-së, e cila edhe e kishte iniciuar këtë ligj.

“Gjatë ditës së sotme, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave“, ka njoftuar Presidenca.

Reklamë

Paraprakisht, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar Presidentes Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara“, u tha në komunikatën e PDK-së.