Vetëvendosje: Në një shtet normal, abuzuesit duhet të frikësohen nga prokurori, në Kosovë ndodh e kundërta

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media bashkë me Glauk Konjfucën kanë folur rreth protestës që do ta mbajnë të premten përpara Prokurorisë së Shtetit.


Kjo pasi sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Lumezi për gjithë këto vite ka dështuar që të realizojë dy premtimet e tij për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe hetimit të krimeve të luftës.

“Lëvizja Vetëvendosje do të nisë të premten me protesta kundër Pan Hajnisë, para ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit.  Nëse do të kishte veprim të Prokurorisë, nuk do të kishte skandale të tilla. Në vend të prezantimit të një platforme, Aleksander Lumezi i përmendi dy premtime: Luftimin e krimit dhe korrupsionit, që nuk ndodhi asnjëherë, dhe hetimi i krimeve të luftës, gjë që nuk ndodhi”, ka thënë ajo para mediave.

Sipas tyre gjatë kësaj kohe derisa Lumezi drejton Prokurorinë e Shtetit skandalet vetëm sa janë rritur.

Haxhiu thotë se në një shtet normal do të duhej që abuzuesit të frikësoheshin nga Prokurorët, por në Kosovë, ndodh e kundërta.

“Korrupsioni po ndodh para syve të Prokurorisë. Në një shtet normal, abuzuesit do të duhej të kishin frikë nga prokurori, por në Kosovë po ndodh e kundërta”, ka shtuar ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu ka drejtuar një listë pyetjes drejt Lumezit, se deri ku kanë shkuar hetimet për vendimin e rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj, favorizimiet që po iu bëhen të afërmeve, për 53 milionët e Bechtel Enkas, rastin e Contour Globalit, Subvencionet te Ministrisë së Bujqësisë, dhe për librin personal të Hashim Thaçit dhe për lobimin që ka bërë ai për idenë e korrigjimit të kufijve.

Ajo në fund ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen kësaj proteste të premtën në orën 11:55 përpara ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit

Ndërsa Glauk Konjfuca thotë se gjatë kësaj periudhe që kryeprokurori Lumezi ka drejtuar Prokurorinë e Shtetit, krimi dhe korrupsioni janë në nivelin më të lartë.

“Ai e lozte rolin e një djali urban, pa të kaluar kriminale, që po vjen në krye të zyrës më të rëndësishme, për të luftuar krimin e organizuar. Por pas gjithë këtyre viteve sa është në krye të prokurorisë, them që krimi i organizuar në Kosovë kurr nuk ka qenë më i madh se sot, dhe korrupsioni  kurr ska qenë më i guxishëm se sot”, ka thënë Konjufca.