Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka përmbyllur ditën pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës me një darkë me ministrin e deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në rezidencën franceze në Prishtinë.

Kurti ka thënë se Franca mbetet një partnere e rëndësishme për Kosovën dhe se takimet e shtuara mes dy vendeve synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Përveçse shtëpi për shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, Franca është partnere e rëndësishme dhe takimet e shtuara janë në shërbim të shqyrtimit të mundësive dhe potencialit për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh edhe në sektorë të tjerë, si ekonomia, siguria e mbrojtja”, ka shkruar Kurti.

Reklamë

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e rolit të Francës në proceset integruese të Kosovës.

“Por, edhe të rolit mbështetës të Parisit në proceset e integrimeve euro-atlantike”, ka shtuar Kurti.

Më herët gjatë ditës, Kosova dhe Franca nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.