×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani thotë se e ka të konfirmuar takimin e fshehtë Thaçi – Vuçiq në Romë

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 23:56

    Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka të konfirmuar se presidenti Hashim Thaçi është takuar fshehurazi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Romë të Italisë.


    Osmani ka thënë se Thaçi ka tentuar vazhdimisht që idenë për ndryshime kufijsh ta shesë kinse se është ide që përkrahet plotësisht në Kosovë. Ajo e ka quajtur këtë ide ruso-serbe me synim destabilizimin e rajonit.

    E pyetur përse mendon që ka stagnuar dialogu, ajo ka thënë se kjo nuk ka ndodhur për shkak të taksës, por se dialogu ka dalë nga binarët.

    “Ka dalë nga qëllimi fillestar që të relaksohen raportet dhe tani kemi ardhur në një situatë ku nga ato tema diskutojmë për përdorimin e vizoreve apo rivizimin e kufijve e që është ide jashtëzakonisht e rrezikshme e cila burimin e ka në Serbi, është ide ruso-serbe që synon destabilizimin e vendit”, ka thënë Osmani në KTV.

    Sipas saj, hapja e kësaj teme ka krijuar polarizim në Kosovë dhe tash ka frikë nga dialogu.
    Deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj se po e pengon Thaçin në idetë për kufijtë, Osmani ka thënë se kjo mund të jetë vetëm pengesë e përkohshme.

    “Nëse ai vërtetë dëshiron ta stopojë duhet të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese dhe të marrë udhëheqjen e dialogut. Është shumë e thjeshtë për ta bllokuar rrugën për dialogimin e kufijve”, ka deklaruar ajo.

    Ekipin negociator e ka quajtur mbështetës për Thaçin, ndërsa ka shtuar se çdo veprim i këtij ekipi është i kundërligjshëm sepse, sipas saj, duhet që ligji të hyjë në fuqi që të përcaktohet mandati i këtij ekipi, e ky ligj tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!