VV paralajmëron protesta nëse tuneli në Mitrovicë nuk hapet deri më 1 maj

Aktivistë të Vetëvendosjes në Mitrovicë, kanë ndërmarrë sot një aksion simbolik para tunelit në hyrje të këtij qyteti, në shenjë pakënaqësie për, siç thonë ata, zvarritjen e punimeve të cilat po bëhen në sanimin e këtij tuneli.


Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Deri kur o Pal”, “Mërgata po vjen, po kah po i bie”, “Pal ik” dhe të ngjashme, ndërsa kanë vendosur mbi tunel një pano me dimensione më të mëdha dhe me fotografi, ku shkruan “Jo bllokimit, Po lëvizjes së lirë”.

Aktivistët po ashtu kërkuan përgjegjësi nga vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj për, siç thanë, zvarritjen e punimeve, ndërsa paralajmëruan protestë para kësaj Ministrie nëse tuneli nuk hapet deri më 1 maj.

Dhjetëra aktivistë të kësaj Lëvizje kanë qëndruar rreth gjysmë ore para tunelit, ndërsa ngjarja është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga pjesëtarët e policisë.

Derisa aksioni i Vetëvendosjes po zhvillohej, në tunel vëreheshin punëtorë duke punuar, por ata nuk deshën të flasin.

Ndryshe, për shkak të mosfunksionimit të këtij tuneli, qytetarët me automjetet e tyre shfrytëzojnë rrugën alternative për kyçjen në qytet, ndërsa brenda qytetit shpesh krijohen kolona.

Ky projekt që financohet nga Ministria e Infrastrukturës e që ka kosto rreth 380 mijë euro, ka filluar në nëntor 2018 dhe është paraparë të përfundojë brenda 60 ditësh.