×
  • Lajme
  • Lajme

    VV reagon pas deklaratave të Haradinajt: Absurde ta konsiderosh një protestë demokratike ndërhyrje në drejtësi

    Reporteri
    26 Prill 2019 | 11:27

    Kryeministri Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka folur për protestën e sotme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Sipas tij, protesta është presion ndaj prokurorisë.


    Në lidhje më këtë deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është absurde dhe hipokrite se si kryeministri Haradinaj e konsideron ndërhyrje në drejtësi, një mjet demokratik siç është protesta qytetare.

    Sipas saj, kryeministri Haradinaj është shembulli më i keq pasi siç tha Haxhiu, ai ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë kur i pati caktuar afat ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

    “Është absurde, qesharake, hipokrite kur dëgjon kryeministrin Haradinaj teksa një mjeti demokratik në këtë rast siç është protesta qytetare që e konsideron si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Në fakt kryeministri Haradinaj është shembulli më i keq, pasi ai pati ndërhyrë në mënyrë flagrante në sistemin e drejtësisë kur i pati caktuar afat prokurorit special i cili e lëshoi vendin për shkak të kërcënimeve dhe presioneve siç ishte ish-prokurori Elez Blakaj”, ka thënë ajo.

    Deputetja Haxhiu po ashtu theksoi se kryeministrit Haradinaj i konvenon situata aktuale në sistemin e drejtësisë.

    Ajo tha se ky është vetëm fillimi i protestave për të larguar nga qeverisja, PAN Hajnin.

    “Prandaj Haradinajt i konvenon situata aktuale ku sistemi i drejtësisë, prokuroria në përgjithësi nuk vepron ndaj skandaleve selektive të Qeverisë Haradinaj, prandaj çfarëdo angazhimi të vënies së drejtësisë të barazisë në vend ai e konsideron si ndërhyrje në sistem të drejtësisë. Natyrisht neve nuk na ndalin fjalët e Haradinajt, përkundrazi ne do të angazhohemi. Sot fillon protesta e parë, por pa dyshim që nuk do të ndalen protestat derisa ta largojmë PAN-Hajnin dhe derisa ata të cilët janë në krye të institucioneve të drejtësisë të veprojnë karshi kriminelëve dhe të korruptuarve”, u shpreh Haxhiu.

    Sipas saj, protesta do të jetë paqësore. “Ne do të japim mesazhe për sistemin e drejtësisë, do të kërkojmë nga sistemi i drejtësisë që të veproj, do të kërkojmë nga prokurorët dhe gjyqtarët e guximshëm që të distancohen nga ata të cilët nuk po veprojnë që janë brenda sistemit të drejtësisë dhe natyrisht ky është organizimi i parë përmes protestës, por pa dyshim që do të ketë edhe organizime tjera”, theksoi deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

    Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje sot do mbaj protestën e parë kundër PAN-Hajnisë, përball Prokurorisë së shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!