×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarim për media

    Zëdhënësi i BE-së: Lajçak ka informuar shtetet anëtare pas takimit në Bruksel, s’janë të kënaqura me situatën

    Reporteri
    15 Shtator 2023 | 15:17
    Peter Stano, zëdhënës në Bashkimin Evropian

    Zëdhënësi e Bashkimit Evropian, Peter Stano, është deklaruar pas dështimit që ndodhi të enjtën në Bruksel, gjatë takimit të Nivelit të Lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve.

    Siç ka deklaruar Stano, ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka nisur punën e tij për t’i informuar shtetet anëtare lidhur me mbarëvajtjen e takimit. Mbetet të shihet, tha Stano, se çka do të ndodh më tutje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Pas takimit të djeshëm jemi në një situatë që sigurisht që është serioze, Borrell është në dijeni për këtë. Përfaqësuesi Lajçak pas këtij rundi të dialogut ka shkuar te shtetet anëtare dhe ka informuar ato dhe ne do të informojmë shtetet anëtare sërish në nivele të ndryshme për atë çka ka ndodhur. Më pastaj, shtetet anëtare do të vendosin çka do të ndodh pastaj”, deklaroi ai në një konferencë për media, të premten, një ditë pas takimit.

    Dokumenti të cilin Borrelli ia propozoi Kosovës e Serbisë për implementimin e Marrëveshjes

    Zëdhënësi Stano u është përgjigjur edhe komenteve të Qeverisë së Kosovës se BE po mban anën e Serbisë në dialog.

    “Më lejoni t’ju kujtoj diçka që BE-ja nuk është palë në dialog. Palë në dialog janë Kosova dhe Serbia. BE-ja është lehtësues, bazuar në dëshirat e shprehura nga të dyja palët dhe miratuar nga e gjithë BE-ja. Ne po lehtësojmë që palët të kapërcejnë dallimet e tyre. Por, ne nuk do të jemi të suksesshëm kurrë nëse palët refuzojnë që të shkojnë në rrugën e kompromisit”.

    Kurti: Kushtëzimi i Serbisë për Asociacionin është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësit Lajçak

    Sipas Stanos, ndonëse takimi i djeshëm ishte i dështuar, dialogu s’ka dështuar plotësisht.

    Ai tha se Bashkimi Evropian mund të arrijë aq sa palët janë të përgatitura që të pranojnë, derisa foli edhe për pasojat e mospasjes së rezultateve nga takimet në Bruksel për Kosovën dhe Serbinë.

    “Borrell nuk ka thënë që dialogu ka dështuar, por se rundi i djeshëm i dialogut nuk solli rezultate sepse palët dështuan që të pajtohen dhe ky është një skenar që po e kemi sërish e sërish së fundi. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që të shohim palët që nuk janë në gjendje të tejkalojnë diferencat e tyre. Nëse ti dëshiron që të ndihmosh dikë dhe ai nuk do që të jetë i ndihmuar, atëherë çfarë mund të bësh”.

    Borrell: Kurti s’e pranoi Asociacionin, insistoi në njohjen de-facto

    Kur u pyet pse vetëm Kosova është e ndëshkuar me masa, Stano përsëriti se nga këto masa imune s’është as Serbia nëse nuk kontribuon në shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

    Ai bëri të ditur se shtetet anëtare janë duke e parë me vëmendje atë çka po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se s’janë të lumtur me situatën.

    “27 shtete anëtare janë duke e parë këtë. Nuk jemi të lumtur me këtë. Ata kanë pasë krejtësisht pritje të tjera. Partnerët e dinë këtë”, tha Stano. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!