Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku do të jetë kundërkandidatja e Glauk Konjufcës për president.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci ia dorëzuar Kryesisë së Kuvendit nominimin e Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për presidente.
“Në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës në emër të deputetëve nënshkrues, paraqes nominimin për kandidaten për Presidente të Republikës së Kosovës. Deputetët nënshkrues nominiojnë znj .Fatmire Mulhaxha Kollçaku si kandidate për Presidente të Republikës së Kosovës.”, thuhet në shkresën e shefes së deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci drejtuar Kryesisë së Kuvendit, të cilën e ka publikuar deputeti i LDK-së Besian Mustafa.
Seanca për zgjedhjen e Presidenti është thirrur për sonte në ora 22:00.
Ndryshe, presidenti zgjidhet me votim të fshehtë.
Zgjedhja e presidentit të ri sipas Kushtetutës, duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Në këtë rast, Osmanit i përfundon mandati më 4 prill.
Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nëse asnjëri kandidat s’i merr shumicën prej 2/3 e votave në dy votimet e para, organizohet rundi i tretë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet deputet.
Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
