Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Blerim Kuçi, ka deklaruar se pret rezultate të mira për LDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit dhe ka theksuar se qëllimi politik i partisë është formimi i një qeverie pa Albin Kurtin.

Kuçi tha në T7 se ky është objektivi kryesor i LDK-së pas zgjedhjeve.

“Ideja e LDK-së është, dhe ajo që është shumë më rëndësi është me kriju një qeveri dhe organe pa Albin Kurtin. Presim që të ketë rezultate shumë të mira për LDK-në. Ky është qëllimi kryesor, që me 7 qershor të krijohet qeveri pa Albin Kurtin”, ka thënë Kuçi.

Ai shtoi se sipas tij, një qeveri e tillë do të shmangte situata politike të ndjeshme dhe bllokada institucionale.

“Që mos me pas ai fuqinë votuese me pengu, edhe mos me pas fuqinë penguese që mos me ardh në dy momente të rrezikshme… atëherë kjo është punë e ekspertëve kushtetues edhe tonë, edhe botërorë”, u shpreh ai.

Kuçi ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se në qëndrimet e tij ka ndryshime ndër vite.

“Sot janë dy Albina, kemi Albin Kurtin e dikurshëm dhe Albin Kurtin e sotshëm. Nuk është i njëjti njeri”, tha ai.

Sipas Kuçit, qëndrimet e Kurtit për çështje të ndryshme politike kanë ndryshuar me kalimin e kohës.

“Ju kujtohet kur ishte kundër Pakos së Ahtisaarit, pastaj pro bashkimit me Shqipërinë… sot kemi trefishim të importit nga Serbia. Cili është Albin Kurti?”, u shpreh Kuçi.

Ai shtoi gjithashtu se ka dyshime për orientimin politik të kryeministrit në detyrë, duke theksuar se më herët e ka konsideruar më të afërt me Shqipërinë.