Kandidati për deputet i LDK-së, Blerim Kuçi, i cili në listën e kësaj partie garon me numrin 47, ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh energjetik falë rezervave të thëngjillit dhe se kjo mund të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.
Duke folur për mundësinë e zbritjes së faturave të rrymës, Kuçi e krahasoi Kosovën me shtetet e pasura me naftë, ku sipas tij çmimet e karburanteve janë dukshëm më të ulëta për shkak të burimeve vendore.
Ai shtoi se Kosova duhet të shfrytëzojë më shumë rezervat e saj të thëngjillit përmes ndërtimit të termocentraleve të reja dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
“Shtetet të cilat janë të pasura me naftë, qoftë ta marrim Katarin, vendet arabe, atëherë çmimi i naftës është shumë i vogël. Ne kemi këtë potencial, jemi shumë të pasur në kuptimin me thëngjill, që është bazamenti jonë për t’kriju energji. Energjia bazohet në potencialin tonë, në resursin tonë kombëtar që kemi thëngjillin duhet me qenë me e krahasueshme me shtetet të cilat prodhojnë naftë. Në qoftë se nafta në një shtet që është prodhues i madh i naftës, është tre herë ma lirë se sa në një vend tjetër, pse mos jetë edhe energjia këtu? Ne kemi atë mundësi, duhet me shfrytëzu. Krijimin e termocentraleve të reja edhe rritjen e kapacitetit. Resurset tona janë të mëdha për të kërkuar për me qenë ndoshta edhe tre herë ma lirë se sa sot që është energjia elektrike dhe që qytetari paguan energji”, tha Kuçi.