Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Blerim Kuçi, i cili garon me numrin 47, ka prezantuar platformën e tij programore, duke thënë se ajo është rezultat i një angazhimi pesëvjeçar me qytetarët dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Kuçi theksoi se gjatë viteve të fundit është angazhuar në hulumtime, takime dhe dëgjim të vazhdueshëm të shqetësimeve dhe ideve të qytetarëve, me qëllim identifikimin e zgjidhjeve konkrete për sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë.

Sipas tij, ky angazhim tashmë është përmbledhur në një platformë të hapur për publikun, e cila përfshin prioritetet dhe çështjet për të cilat ai do të angazhohet në Kuvendin e Kosovës, në përputhje me programin dhe vlerat e LDK-së.

Reklamë

“Pesë vitet e fundit kanë qenë një rrugëtim i mbushur me punë, hulumtime dhe dëgjim të vazhdueshëm të shqetësimeve e ideve tuaja. Në bashkëpunim me profesionistë të fushave të ndryshme, kam punuar për të identifikuar zgjidhje konkrete për sfidat që prekin qytetarët çdo ditë”, ka shkruar Kuçi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të njihen me vizionin dhe platformën e tij përmes faqes zyrtare të publikuar në rrjetet sociale.