Dita e gjashtë e fushatës ka vazhduar me premtime për rritje pagash e investime të mëdha, shkruan Reporteri.net.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në Gjakovë.

Kreu i kësaj partie dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është zotuar për investime të mëdha atje në kuadër të transformit industrial, ku tha se Gjakova do të jetë në qendër.

Reklamë

Ai tha se atje do të jetë thelbi i industrisë së ardhshme ushtarake.

“Këtu do ta kemi edhe segmenti që e lidh Gjakovën me Shkodrën, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës që besoj se do të vazhdoj deri në Sarandë. Në anën tjetër këtu do ta kemi edhe thelbin e industrisë së ardhshme ushtarake”, ka thënë Kurti.

Ai tha se do ta mbështesin prodhimtarinë, ku shtoi se 1 miliardë euro do shkojnë për këtë qëllim dhe se shteti do të bëhet garanci për kreditë investive.

PDK ndërkohë ka mbajtur tubim në Gjilan dhe Viti.

Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, premtoi rritje të pagave për 50% për të gjithë.

Reklamë

“Ne kur premtojmë, e mbajmë fjalën”, tha Hamza.

Hamza premtoi zgjerim të listës esenciale të barnave dhe fillimin e zbatimit të sigurime shëndetësore.

“Ne i sigurojmë qytetarët se do të fillojmë me zbatimin e sigurimeve shëndetësore”, tha Hamza.

Ai u zotua edhe për arsim modern në përputhje me nevojat e ekonomisë të tregut.

Reklamë

“Digjitalizim të sistemit arsimor dhe bursa 30 milionë euro në vitin e parë si studentë”, ka deklaruar Hamza.

LDK ka mbajtur tubime në Mitrovicë, Istog, Prishtinë e Lipjan.

Kreu i partisë e kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK vjen me program zhvillimor, e jo propagandë para qytetarëve.

‘’Nuk kemi ardhur as me ankesa e arsyetime. Kemi ardhur me plan. Me program. Me zotime konkrete. Me përgjegjësi të plotë. Me bindjen e palëkundur se Kosova mundet më shumë. Se Kosova meriton më shumë’’, ka thënë Abdixhiku.

Reklamë

Ndërkohë, kandidatja për Presidente e LDK’së, Vjosa Osmani ka deklaruar se ’Kemi arritur që nga Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, nga Presidenti amerikan, të marrim garancën me shkrim, ta betonojmë garancën që askush nuk do të guxojë t’i prek kufijtë e Republikës së Kosovës. Garanc që nuk e kemi pasur nga viti 2008″.

AAK ndërkohë ka mbajtur tubim në Prizren.

Kreu i kësaj partie, njëherit kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka deklaruar se Aleanca synon të garantojë pavarësinë energjetike të Kosovës përmes një plani konkret pune, i cili parasheh investime në modernizimin e KEK-ut, uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, si dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike rrugore dhe hekurudhore.

Gjini ka theksuar se këto investime do ta lidhin Kosovën më fuqishëm me tregjet rajonale dhe do të krijojnë bazë më të fortë për zhvillim ekonomik e siguri energjetike.

Reklamë

“Aleanca vjen me një plan të pastër pune për të garantuar pavarësinë tonë energjetike”, ka deklaruar ai./Reporteri.net