Në ditën e pestë të fushatës, partitë politike kanë vazhduar me tubime nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ku kanë shpalosur programin dhe kanë bërë premtime.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin ka mbajtur tubim në Suharekë dhe Rahovec.

Kurti aty tha se janë qeveria e parë që kanë filluar me shtesat për fëmijët dhe lehonat, teksa premtoi dyfishim të shtesave gjatë mandatit të ardhshëm.

Reklamë

“Sa më shumë fëmijë në familje, aq më shumë shteti do t’ju mbështesë”, ka deklruar Kurti.

I është ndalur edhe tek veriu, ku tha se është ndaluar dinari dhe se tani energjia paguhet edhe atje.

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial, sundimi i ligjit do të vazhdoj edhe më tutje në veri të Kosovës e cep më cep të Republikës së Kosovës”.

Premtoi edhe mbështetje për sektorin e bujqësisë, ku tha se do të hiqet akciza për naftën e bujqve dhe se do të ketë edhe sigurim për fermerët në rast të fatkeqësive natyrore.

“Do të kemi mbështetje edhe për naftën e traktorëve duke ua hequr akcizës dhe sipërfaqës së punueshme dhe rendimentit që ata e prodhojmë.Do kemi sigurim për fermerët në rast të fatkeqësive natyrore”, ka deklaruar Kurti.

Reklamë

PDK ka mbajtur tubim në Malishevë dhe Drenas.

Kreu i PDK’së, Bedri Hamza tha se PDK ka vizion të qartë qeverisës me fokus te zhvillimi ekonomik, punësimi dhe fuqizimi real i grave.

Ai ka premtuar investime në arsim e shëndësi.

“Do të investojmë në çerdhe. Do të investojmë në arsim. Do të investojmë në shëndetësi. Do të investojmë në mbështetjen e bizneseve të grave. Do të krijojmë kushte që gratë të jenë më të pranishme në tregun e punës. Sepse ne e dimë një të vërtetë se fuqizohet gruaja, fuqizohet familja, fuqizohet shteti”, ka deklaruar Hamza.

Reklamë

Ai ka deklaruar se PDK nuk është kundër ndarjes së shtesave, por se qytetarët kanë nevojë për politika që u garantojnë stabilitet financiar dhe që janë të përhershme.

“Shtesat janë të njëhershme dhe po përdoren si mjet politik për blerje të votave. Shtesat nuk krijojnë vende pune. Shtesat nuk ndërtojnë çerdhe. Shtesat nuk krijojnë pavarësi ekonomike”, shtoi Hamza.

LDK ka mbajtur tubim në Rahovec, Prizren dhe Dragash.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, u zotua për projekte që e zhvillojnë gjithë Kosovën.

Reklamë

Ai ka premtuar pagë 1000 euro për mësuesit e Kosovës.

“Ne do ta ngrisim edhe dinjitetin e punës. Mësuesi i Kosovës do të ketë pagë 1000 euro. Polici, ushtari, infermieri e zjarrfikësi do të kenë paga nga 900 euro në muaj. Koeficientin 150 për mbi 80 mijë punëtorë publikë mbetet premtimi ynë. Sepse nuk mund të kërkosh shtet të fortë me njerëz të nënvlerësuar”, tha Abdixhiku.

Kandidatja për Presidente e LDK’së, Vjosa Osmani, ka folur për aleancat.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet jetik për Kosovën.

Reklamë

“Këto rrënjë e këto shtylla të shtetit tonë e dëshmojnë se raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet interes jetik shtetëror. Amerika ishte pranë nesh kur kishim më së shumti nevojë, Amerika është pranë nesh edhe sot, dhe Amerika do të jetë partneri ynë strategjik e i përhershëm”, ka deklaruar Osmani.

AAK ndërkohë ka mbajtur tubim në Gjilan.

Kreu i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë se Qeveria Kurti ia kishte bllokuar Gjakovës projektin e ndërtimit të stadiumit të qytetit, ndonëse u shpreh se kushtonte më lirë se ai i Gjilanit.

Gjini tha se ishte detyruar me buxhet komunal t’i kryente punimet.

“15 milionë i rrinin Gjilanit, por as nuk ia niste. Gjakovës i kushtonte 13 milionë e 800 mijë, me 14.000 ulëse, me VAR, me tre lifta, e Gjilanit me 7.000 ulëse i kushtonte 15 milionë”, ka deklaruar Gjini./Reporteri.net