Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, subjektet kryesore politike në Kosovë kanë vijuar aktivitetet e tyre me tubime, premtime programore dhe mesazhe drejtuar elektoratit, duke e intensifikuar garën në prag të votimeve.

Në Mitrovicë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar oponentët politikë për situatën që, sipas tij, ka çuar në zgjedhje të parakohshme, duke i bërë thirrje qytetarëve për mobilizim në ditën e votimit.

“Për një shekull e gjysmë, nuk ka pasur asnjë brez të shqiptarëve pa e pasur së paku një luftë… E ne duam që brezi i fëmijëve sot të jetë brezi i parë pa asnjë luftë”, ka thënë Kurti, duke theksuar nevojën për ushtri moderne dhe investime në sektorin e sigurisë.

Reklamë

Ai ka bërë të ditur edhe plane për zgjerimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e industrisë ushtarake, si dhe ka premtuar projekte infrastrukturore në Shtime, përfshirë autostradën Duhël–Shtime–Banullë dhe ndërtimin e digave të Carralevës dhe Firajës.

Në Prishtinë dhe në aktivitete të tjera, Kurti ka theksuar bashkëpunimin me partnerët politikë, duke deklaruar: “Jemi bashkë për shtet për krejt… Këtë të diel, krejt për fitoren e radhës”.

Ndërkohë, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar prioritetet e programit qeverisës, me fokus në arsim, ekonomi dhe mirëqenie sociale. Ai ka paralajmëruar krijimin e një fondi bursash prej 30 milionë eurosh dhe investime në digjitalizimin e sistemit arsimor.

Sipas tij, “pas gjashtë vjetësh qeverisje, Kosova po përballet me një krizë të shumëfishtë – ekonomike, energjetike, infrastrukturore dhe të shpresës”, duke premtuar ndryshim të qasjes qeverisëse dhe rritje të standardit të jetesës.

Hamza gjithashtu ka theksuar: “Për shumë familje, çdo ditë është mbijetesë… Të rinjtë nuk po kërkojnë më ëndrra në Kosovë, por rrugë për t’u larguar prej saj”.

Reklamë

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani kanë vënë theksin në orientimin strategjik të vendit dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si nuk arrijnë ta kuptojnë se ne po e ndjekim një filozofi politike që i ka vënë themelet më të forta të Republikës së Kosovës… Kosova duhet të zgjedhë qartë rrugën e vet strategjike përpara”, ka deklaruar Abdixhiku, duke premtuar gjithashtu projektin e gazifikimit të Kosovës.

Në anën tjetër, Osmani ka theksuar se zhvillimi dhe siguria nuk mund të ndërtohen pa aleanca ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në.

LDK-ja ka prezantuar edhe një paketë projektesh kulturore, përfshirë Operën dhe Baletin “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrin e ri Kombëtar dhe muze të ndryshëm kombëtarë.

Reklamë

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka kritikuar qeverisjen aktuale dhe ka akuzuar për izolim ekonomik dhe energjetik të vendit. Ai ka deklaruar se “Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vjetët e fundit”.

Gjini ka theksuar se “siguria energjetike është siguri kombëtare” dhe ka premtuar zhbllokim të projekteve të gazsjellësit dhe investime në bashkëpunim me SHBA-në, duke shtuar se “epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor”.

Në përgjithësi, dita e tetë e fushatës është karakterizuar nga premtime të mëdha për ekonomi, energji, arsim dhe siguri.