Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, ka kritikuar Qeverinë duke e akuzuar për, siç tha ai, keqinterpretim të reformave në drejtësi dhe përdorim politik të institucioneve.

Hasanpapaj, jurist me profesion, tha se pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet duke mos ndërhyrë ekzekutivi dhe legjislativi në punën e tij.

“Drejtësia më së miri mbrohet kur nuk pengohet. Ekzekutivi dhe legjislativi detyrë primare e kanë me siguru pavarësinë e gjyqësorit… duke mos iu përzi në punë, duke mos i thirrë në takime, por duke i siguruar buxhet dhe ligje të nevojshme”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Ai kritikoi edhe mënyrën se si po prezantohet ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se procesi nuk është përmbyllur dhe po paraqitet gabimisht si arritje.

“Që 6 vjet s’e kanë miratuar ligjin dhe thonë e kemi bërë byronë dhe mashtrojnë… Byroja s’është miratuar, ka kaluar vetëm në lexim të parë dhe kuvendi është shpërndarë”, u shpreh Hasanpapaj.

Ai tha se është optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kritikuar qeverisjen aktuale dhe premtimet e pambajtura.

“Jam jashtëzakonisht optimist… populli do ta ndëshkojë me votë për këto dështime të vazhdueshme”, tha ai, duke shtuar se ndryshimi do të vijë përmes votës së qytetarëve.