Një javë pasi anuloi një tender meqë nuk ofertoi asnjë kompani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar kontratën për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit, me çmim rreth 58 mijë euro më të lartë se ai i paraparë. Shtypja e materialit zgjedhor i është besuar sërish kompanisë sllovene “Cetis”.
Vlera e parashikuar për këtë kontratë ka qenë 284 mijë e 506 euro, teksa me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është dhënë për 342 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
“OE pas kërkeses se KQZ ka ofruar zbritje nga oferta finaciare dhe si rrjedhoj oferta finale ka çmim prej 342,000.00€”, thuhet në njoftimin e publikuar në e-Prokurim.

Edhe këtë herë, shtypja e fletëvotimeve dhe pjesës tjetër të materialit zgjedhor i është besuar kompanisë sllovene “Cetis d.d”. Kjo kompani ka shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur u evidentuan mospërputhje në numrat serikë.
Pas reagimeve të shumta, kompania e kishte pranuar gabimin teknik gjatë printimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, teksa kishte mohuar çdo mundësi manipulimi.
Kompania kishte marrë përgjegjësi të plotë për incidentin, duke theksuar se një gabim i tillë është “pothuajse i pamundur” të ndodhë në rrethana normale dhe se fletët e votimit përmbajnë elemente sigurie që nuk mund të falsifikohen.
Në të njëjtën ditë kur KQZ ka njoftuar për dhënien e kontratës, ka nisur edhe shtypja e fletëvotimeve që do të përdoren për votimin me postë.
“Pra, kjo shtypje më e shpejtë e fletëvotimeve që përdoren për votimin me postë bëhet me qëllim që ne të arrijmë që brenda afateve të dërgojmë pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’ua dërgojë pakon me fletëvotim në adresa të gjithë mërgimtarëve të regjistruar për votim me postë.
Deri tash për votim me postë janë regjistruar rreth 85 mijë shtetas të Kosovës.
Ky numër pritet të rritet, pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha aplikimeve.
“Rreth 85 mijë shtetasve të Kosovës, të cilët u regjistruan për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ do t’ju dërgojë pakon me fletëvotim në adresë të tyre. Ky numër pritet të rrietet me përfundimin e shqyrtimit të të gjitha aplikimeve”, ka deklaruar Elezi./Reporteri.net