Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka mbajtur një fjalim në sheshin “Skënderbeu”, ku kjo parti po feston rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke thënë se ata “nuk u lodhën kurrë” në përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Falënderojmë popullin tonë të dashur, të mirë, i cili nuk u lodh kurrë duke e mbështetur LVV-në dhe kryeministrin Albin Kurti,” ka thënë Konjufca, duke shtuar se qytetarët kanë treguar kulturë demokratike gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Reklamë

Ai ka uruar edhe për atë që e quajti “Qeveria Kurti 4”, duke e lidhur rezultatin zgjedhor me vazhdimin e qeverisjes së Vetëvendosjes.

Konjufca ka falënderuar gjithashtu aktivistët e partisë, duke theksuar se, sipas tij, ata kanë punuar pa u ndalur gjatë gjithë fushatës. “Kjo është fryma e LVV-së,” ka thënë ai.

Në fjalimin e tij, ai nuk e ka lënë pa përmendur as mërgatën, duke thënë se Kosova është e tyre po aq sa e qytetarëve brenda vendit dhe duke i ftuar të mos e harrojnë vendin e origjinës.

Po ashtu, ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin gjatë procesit zgjedhor, duke i vlerësuar si “të shkëlqyeshëm” në garantimin e sigurisë.

Në fund, Konjufca ka ftuar qytetarët e pranishëm që të japin një përshëndetje të veçantë për Albin Kurtin.

Reklamë