Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili u kishte mundësuar votuesve në diasporë të votojnë në përfaqësi diplomatike edhe me dokumente identifikimi të Kosovës me afat të skaduar.
Në arsyetimin e saj, PZAP ka theksuar se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretim të zgjeruar për dokumentet e identifikimit.
“Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizëm në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar”, thuhet në vendim.
Po ashtu, PZAP ka sqaruar se vlefshmëria e dokumentit është kusht ligjor për identifikimin e votuesit.
“Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i parëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”, theksohet më tej në vendim.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, në disa faqe zyrtare të përfaqësive diplomatike të Kosovës jashtë vendit ende figurojnë njoftime që lejojnë votimin edhe me dokumente të skaduara, duke krijuar paqartësi te votuesit e diasporës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net/
Në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris, qytetarëve u është bërë e ditur se votimi do të zhvillohet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri në 19:00, dhe se të drejtën e votës e gëzojnë vetëm shtetasit e regjistruar.
Në listën e dokumenteve të pranueshme, ambasada ka përfshirë letërnjoftimin, pasaportën dhe patentë shoferin e Kosovës, duke shtuar gjithashtu se:
“Votimi lejohet edhe me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë”.

Një formulim i ngjashëm vazhdon të figurojë edhe në njoftimet e disa përfaqësive të tjera diplomatike, përfshirë Ambasadën e Kosovës në Ankara, ku gjithashtu theksohet se dokumentet e skaduara pranohen për votim.

Ky mospërputhje mes vendimit të PZAP-së dhe njoftimeve ende aktive të ambasadave ka krijuar paqartësi në terren, veçanërisht për qytetarët e diasporës që janë regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike.
Sipas vendimit të PZAP-së, dokumentet e vlefshme të identifikimit mbeten kusht ligjor për ushtrimin e së drejtës së votës. ?Reporteri.net/