Partitë politike kanë mbajtur tubimet përmbyllëse të fushatës, teksa nesër qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit.Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në 18 muajt e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025.
Lëvizja Vetëvendosje tubimin përmbyllës e ka mbajtur në Prishtinë.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili synon mandatin e radhës në krye të qeverisë, përsëriti se Vetëvendosjes i duhet mazhorancë edhe më e madhe, e edhe më e fortë në mandatin e ardhshëm.
Mes tjerash, kryetari i Vetëvendosjes tha se mandati i ardhshëm është edhe i çmimeve tavan, i shtesave, i projekteve kapitale si hekurudhave e digave, dhe mandat i investimit prej një miliard eurosh për mbrojtje e mandat i investimeve në ushtri.
Partia Demokratike ka përmbyllur fushatën elektorale, me tubimin që e ka organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i këtij subjekti politik, Bedri Hamza, i cili është edhe kandidat për kryeministër, tha se me takimin në zemër të kryeqytetit nuk po përmbyllet vetëm fushata, por edhe po përmbyllet një kapitull i krizës e kaosit që tha se e ka kapluar Kosovën.
Para mbështetësve, ai theksoi se PDK-ja është gati ta ndalë krizën e ta ndryshojë Kosovën.
Ndryshe nga partitë e tjera, Lidhja Demokratike tubimin kryesor përmbyllës e ka mbajtur mbërmë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
E, të shtunën, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, bashkë me bartësen e listës së kandidatëve të LDK-së për deputetë, Vjosa Osmani, ka vizituar disa komuna, përfshirë Prizrenin e Ferizajn.
Abdixhiku ka thënë se ka qëndruar mes njerëzve të mbarë të vendit, e Osmani i ka përshkruar ata si tëmrekullueshëm.
Ndërkaq, në një video-adresim, Osmani ka bërë thirrje për t’u bashkuar, për votë mbështetëse për LDK-në.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fushatën e ka përmbyllur në Prishtinë, saktësisht në sheshin“Xhorxh Bush”.
Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, i cili është edhe kandidat për kryeministër, tha se e imagjinon një Kosovë ndryshe nga ç’është tani.
Ai theksoi se Kosova duhet të çohet në këmbë e nuk duhet dorëzuar.
Të dielën, më 7 qershor, Kosova voton sërish – për herë të tretë brenda më pak se një viti e gjysmë.
Zgjedhjet e reja u shpallën pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjidhte presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke futur vendin në një tjetër krizë politike./Reporteri.net/