Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverinë në detyrë, duke thënë se ajo nuk ka pasur vizion qeverisës dhe nuk ka pasur asnjë investim domethenës kapital.

Ismaili tha se Kosova sot po krahasohet me Moldavinë për varfëri, ndërsa sipas tij edhe Ukraina, megjithëse në luftë, po qëndron më mirë se Kosova.

“Qeveri më dembele e ministra më të papunë se të Vetëvendosjes nuk ka pasur në historinë e Kosovës. Inflacioni në Kosovë është i dyti në Evropë, 80 për qind të investimeve kapitale i kanë bartur në vitin 2026. Ukraina me luftë po na kalon, e ne jemi duke u krahasuar me Moldavinë”, ka thënë Ismaili.

Reklamë

Ai shtoi se rritja e qarkullimit nuk është rezultat i zhvillimit ekonomik, por pasojë e rritjes së çmimeve, pasi qytetarët sot me më shumë para po blejnë më pak.

Ismaili, në debatin e nënkryetarëve, i është drejtuar Glauk Konjufcës, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mbrojtje të Martin Berishajt.

Ismaili e quajti Berishajn “sekser të energjisë elektrike me Serbinë”, duke thënë se ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë dhe ka tërhequr qindra mijëra euro nga bankat e Kosovës.

“Martin Berishaj është sekser i energjisë elektrike. Albin Kurti e ka mik, e mbështet dhe e mbron. Ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë, ka tërhequr qindra mijëra euro dhe është sjellë me pasaportë diplomatike, titull që ia ka dhënë qeveria e Vetëvendosjes”, tha Ismaili.

Sipas tij, Berishaj “është ende i lirë dhe ende ambasador”, ndërsa shtoi se pushteti aktual e ka mbrojtur atë edhe pas dyshimeve për përfitime në kohën kur qytetarët përballeshin me fatura të larta të energjisë.

Reklamë

“Një njeri që ka tregtuar dhe ka përfituar në kohën e faturave të mëdha, ka tërhequr nga bankat e Kosovës qindra mijëra euro që nuk dihet ku kanë shkuar, dhe ju keni dalë e keni mbrojtur”, u shpreh Ismaili.

Ismaili, ka akuzuar Glauk Konjufcën për heshtje ndaj, siç tha ai, korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ismaili tha se dokumentet e tij gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë ishin kontrolluar dhe dërguar në prokurori, por se, sipas tij, nuk ishte gjetur asgjë.

“I keni kontrolluar të gjitha dokumentet e mia sa kam qenë ministër i Shëndetësisë, i keni çuar në prokurori dhe s’keni gjetur asgjë. A e di pse? Sepse unë e kam ndalur korrupsionin sa kam qenë ministër”, tha Ismaili.

Reklamë

Ai më pas përmendi blerjet në shëndetësi, duke thënë se pajisje si patericat po blihen shumë më shtrenjtë se çmimi real.

“Po bëhet korrupsion në Ministrinë e Shëndetësisë, e ty s’po të dëgjohet zëri. Pse nuk po guxon me fol? Ti duhet me marrë përgjegjësi”, iu drejtua Ismaili Konjufcës.

Ismaili tha se në QKUK po ndodhin abuzime, ndërsa akuzoi se personat e afërt me pushtetin po përfitojnë në kurriz të pacientëve.