Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e rezultateve të kadidatëve për deputetë.
Në njoftimin e KQZ’së theksohet se të dhënat e para të publikuara vijnë nga QKN-të e 15 komunave: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat, paraditën e së hënës ka filluar procesi i numërimit dhe verifikimit, shkruan Reporteri.net.
Ndërkaq, pasditen e së hënës, aktivitetet kanë filluar në QKN-të e 23 komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë.
“Të hënën, në Qendrat Komunale të Numërimit ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat do të transmetohen në platformën për rezultate”, thuhet në njoftim./Reporteri.net