×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtare: Nesër në ora 14:00 mblidhet Kuvendi për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Kurti

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 16:59

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit për serbët në veri të vendit, ka shkaktuar reagime të shumta.

    Krahas qëndrimit të Qeverisë, edhe partitë politike në vend kanë dalë kundër këtij referendumi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Teksa sot, kryeministri i vendit Albin Kurti ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër.

    “Unë po shkoj në kryeministri që ta përgatisë thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në orën 14:00”, u shpreh Kurti sot shkurt para mediave pas takimit me ambasadorët e shtetit të QUINT-it.

    Gazeta Reporteri.net ka kontaktuar me deputetin e AAK-së Pal Lekaj për të marrë vesh nëse u është dërguar akoma ftesë për pjesëmarrje në një seancë të jashtëzakonshme për nesër.

    Lekaj e konfirmoi se deputetët e Kuvendit të Kosovës tashmë kanë marrë një ftesë për seancë.

    Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur nga kryeministri Kurti do të mbahet nesër në ora 14:00.

    Lekaj po ashtu ka konfirmuar se deputetët e AAK-së do të shkojnë në këtë seancë.

    “Grupi i AAK do të marrë pjesë”, tha Lekaj shkurt për Reporteri.net.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

    Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit, shkruan Reporteri.net.

    “I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, është thënë në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

    Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

    Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!