×
  • Raporto
  • Mjekësi

    A rritet tensioni nga vapa? 10 gabimet që duhen shmangur

    Reporteri
    31 Gusht 2026 | 23:45

    Moti i nxehtë dhe temperaturat e larta mund të ndikojnë në luhatjen e presionit arterial, ndërsa dehidratimi, gjumi i çrregulluar, ndryshimi i rutinës dhe mosmarrja e rregullt e terapisë mund të kontribuojnë në rritjen e tij.

    Kështu ka thënë Dr. Skender Brataj, i cili, duke iu referuar studimit të patologjive të verës, ka thënë se hipertensioni arterial përbën 18 për qind të vizitave të kryera deri më tani.

    Sipas tij, një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojë në rritjen e presionit arterial gjatë verës është dehidratimi.

    “Me djersitjen humbasim ujë dhe kripëra. Kur bie volumi qarkullues, organizmi përpiqet ta ruajë perfuzionin duke aktivizuar sistemin simpatik dhe sistemin reninë–angiotensinë–aldosteron”, ka shpjeguar Brataj.

    Ai ka theksuar se temperaturat e larta përbëjnë gjithashtu stres për organizmin.

    “Temperaturat shumë të larta nuk shkaktojnë vetëm vazodilatacion. Kur termorregullimi vihet nën presion, rriten frekuenca kardiake dhe aktiviteti simpatik”, ka shkruar ai, duke shtuar se te personat me sistem kardiovaskular më të brishtë kjo mund të shkaktojë luhatje të konsiderueshme të presionit.

    Sipas Bratajt, rreziku mund të jetë më i madh te personat me hipertension, diabet, insuficiencë renale apo kardiake, pasi aftësia e organizmit për të përshtatur volumin e lëngjeve dhe natriumin mund të jetë e dëmtuar.

    Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, si kalimi nga ambienti i jashtëm me 38 deri në 40 gradë Celsius në një hapësirë shumë të ftohtë me ajër të kondicionuar, mund të ndikojnë gjithashtu në presion.

    “Ndryshimi i madh dhe i shpejtë i temperaturës mund të ndikojë në hemodinamikë”, ka theksuar ai.

    Brataj ka përmendur edhe gjumin e dobët gjatë netëve të nxehta, përdorimin e tepërt të kripës, kafeinës apo alkoolit, si dhe harresën e terapisë si faktorë që mund të ndikojnë në kontrollin e presionit arterial.

    Ai ka paralajmëruar veçanërisht kundër ndërprerjes së barnave pa konsultë me mjekun.

    “Ndërprerja e papritur e disa barnave, veçanërisht beta-bllokuesve ose klonidinës, mund të shkaktojë rritje të konsiderueshme të presionit”, ka shkruar Brataj.

    Sipas tij, ekziston një paradoks sa i përket ndikimit të vapës në tensionin e gjakut. Nxehtësia mund të shkaktojë vazodilatacion dhe tendencë për uljen e presionit, por kur ekspozimi është i fortë dhe shoqërohet me dehidratim, organizmi aktivizon mekanizma që mund ta bëjnë presionin më të paqëndrueshëm ose ta rrisin atë.

    Gabimet që duhen shmangur

    Brataj ka renditur edhe disa nga gabimet më të shpeshta që, sipas tij, duhet t’i shmangin personat me hipertension gjatë verës.

    Mes tyre janë ndërprerja ose përgjysmimi i barnave vetëm për shkak të një matjeje të ulët të tensionit, mosmarrja e mjaftueshme e lëngjeve, shtimi i pakontrolluar i kripës dhe matja e tensionit menjëherë pas aktivitetit fizik, kafesë apo duhanit.

    Ai ka theksuar se një matje e vetme nuk duhet të jetë arsye për ndryshimin e terapisë.

    “Një matje e vetme nuk mjafton. Duhet parë tendenca dhe prania e simptomave”, ka thënë ai.

    Sipas Bratajt, pacientët duhet të vazhdojnë terapinë antihipertensive sipas udhëzimeve të mjekut dhe të mos e ndryshojnë atë automatikisht vetëm për shkak të temperaturave të larta.

    Ai këshillon që presioni të matet në mënyrë korrekte dhe të përsëritet pas pushimit, ndërsa në rast të marramendjes, hipotensionit, të vjellave, diarresë apo dehidratimit, pacientët duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor.

    “Mos syno ulje të menjëhershme agresive pa këshillim mjekësor”, ka theksuar Brataj.

    Sipas tij, në rast se tensioni mbetet i lartë, duhet kontrolluar nëse terapia po merret rregullisht, në dozën dhe orarin e përcaktuar, si dhe të merren parasysh faktorë të tjerë, përfshirë konsumimin e kripës, barnat e tjera, stresin dhe dhimbjen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!