Për dekada me radhë, alergjitë janë shpjeguar si një reagim i tepruar i sistemit imunitar ndaj substancave të padëmshme, si poleni, kikirikët apo pluhuri. Por një ekip studiuesish, i udhëhequr nga imunologu klinik Peter Smith nga Universiteti Griffith, në bashkëpunim me kërkues nga SHBA-ja, Evropa dhe Singapori, sugjeron se problemi mund të nisë një hap më herët.
Duke analizuar një nga grupet më të mëdha të të dhënave mbi alergjitë, studiuesit propozojnë se shkaku mund të lidhet me qelizat që veshin lëkurën, zorrët, hundën, mushkëritë dhe ezofagun. Sipas tyre, këto qeliza mund të humbasin funksionin normal të mitokondrive, strukturave që prodhojnë energjinë brenda qelizave.
Kur këto qeliza nuk kanë energji të mjaftueshme, ato e kanë më të vështirë të përballojnë faktorët stresues të mjedisit dhe mund të aktivizojnë sinjalet e alarmit edhe ndaj substancave të padëmshme. Sistemi imunitar më pas reagon ndaj këtyre sinjaleve.
Një nga të dhënat më të qarta u vu re te ezofagiti eozinofilik, një sëmundje alergjike që shkakton vështirësi në gëlltitje. Studiuesit zbuluan se sistemi i pastrimit të mitokondrive ishte më pak aktiv në të 13 grupet e pacientëve të analizuar. Ndërsa te personat me ekzemë, ndryshime në funksionin e barrierës së lëkurës u vunë re edhe në zonat që nuk ishin të inflamuara.
Nëse kjo hipotezë konfirmohet, ajo mund të shpjegojë pse alergjitë rikthehen shpesh pas ndërprerjes së trajtimit. Medikamentet aktuale veprojnë kryesisht duke qetësuar sistemin imunitar, ndërsa studiuesit mendojnë se trajtimi duhet të synojë drejtpërdrejt edhe qelizat që formojnë barrierat mbrojtëse të trupit.
Sipas ekipit, ndër faktorët e përditshëm që mund të dëmtojnë këto qeliza janë ushqimet e përpunuara, ndotja, mikroplastikat, detergjentët dhe përdorimi i antibiotikëve në moshë të hershme.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një hipotezë të bazuar në të dhënat ekzistuese dhe jo për një eksperiment që provon se këta faktorë shkaktojnë drejtpërdrejt alergjitë. Gjithashtu, kjo lidhje nuk u vu re te personat me astmë të zhvilluar dhe polipe nazale, ndërsa te alergjia nga poleni u shfaq vetëm pjesërisht.
Hapi i radhës do të jetë studimi i drejtpërdrejtë i këtyre qelizave te foshnjat, përpara se ato të zhvillojnë alergji.